Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, përmes një video-lidhjeje iu drejtua Parlamentit izraelit. Presidenti i Ukrainës tërhoqi paralele mes pushtimit rus të Ukrainës dhe Luftës së Dytë Botërore. Ai tha se ky “nuk ishte një operacion ushtarak”.
“Kjo është luftë në shkallë të gjerë që synon të shkatërrojë popullin tonë, të shkatërrojë fëmijët tanë, familjet, shtetësinë, qytetet, kulturat dhe gjithçka që i bën ata ukrainas. Prandaj kam të drejtë ta bëj këtë paralele në histori. Luftërat tona për mbijetesë dhe Lufta e Dytë Botërore”, tha ai.
Ai ka folur më parë me ligjvënës të tjerë anembanë botës – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – duke kërkuar mbështetje.
Zelensky u tha ligjvënësve izraelitë se Partia Naziste (Nationalsozialistische Deutsche Arbeiterpartei – NSDAP) u krijua në Gjermani, 102 vjet më parë, më 24 shkurt 1920 dhe në të njëjtën datë të sivjetme, Rusia pushtoi Ukrainën.
“Ata sërish po i thonë këto fjalë – “zgjidhja përfundimtare” – duke u referuar ndaj nesh, popullit ukrainas… kjo u tha në takimin në Moskë”, tha Zelensky, i cili është hebre.
“Zgjidhja përfundimtare” (Endlösung) ishte emri i planit të Gjermanisë naziste për gjenocidin sistematik kundër hebrenjve evropianë, i cili çoi në fazën e fundit, më vdekjeprurëse të Holokaustit (Shoah). Disa nga të afërmit e Zelenskyt u vranë në Holokaust.
Ai i bëri thirrje Izraelit që të ndihmojë popullin ukrainas në rezistencën e tyre kundër ushtrisë ruse.
Ai gjithashtu vuri në pikëpyetje hezitimin e Izraelit për t’ia shitur Ukrainës sistemin e tij të mbrojtjes “Iron Dome”.
“Të gjithë e dinë se sistemet tuaja të mbrojtjes kundër raketave janë më të mirat dhe se ju mund të ndihmoni përfundimisht popullin tonë, të shpëtoni jetët e ukrainasve, hebrenjve ukrainas”, tha ai.
“Ne mund të pyesim veten pse nuk mund të marrim armë nga ju, pse Izraeli nuk ka vendosur sanksione të forta ndaj Rusisë ose nuk po ushtron presion mbi biznesin rus. Në çdo rast, zgjedhja është e juaja, vëllezër e motra dhe pastaj duhet të jetoni me përgjigjen tuaj”, theksoi ai.
Zelensky gjithashtu citoi në mesazhin e tij kryeministren e ndjerë izraelite Golda Meir me fjalët “ne duam të jetojmë, por fqinjët tanë duan të na shohin të vdekur”.
“Ne mbetemi, jemi gati për kompromis”, shtoi ai, duke tërhequr një paralele të drejtpërdrejtë midis Ukrainës së sotme dhe Izraelit historik, të përballur me armiqësinë arabe./REL/