Volodymyr Zelenskyy ka kritikuar kryebashkiakun e Kievit për sigurimin e strehimoreve emergjente, në shenjë pakënaqësie që rrallë shihet midis liderëve ukrainas që nga fillimi i pushtimit rus, shkruan Sky News, transmeton Fol Drejt.
Presidenti tregoi se Vitali Klitschko, legjenda e boksit e kthyer në politikan, nuk kishte bërë mjaftueshëm për të ndihmuar banorët e kryeqytetit të përballen me goditjet më shkatërruese të luftës të Moskës.
Shumica e rajoneve anembanë Ukrainës janë ndikuar nga ndërprerjet e energjisë elektrike këtë javë, dhe ndërsa gjashtë milionë personat e prekur aktualisht janë ulur nga kulmi prej 12 milionë disa ditë më parë, Zelenskyy tha se “problemet më të mëdha” ishin në Kiev.
“Për fat të keq, autoritetet lokale nuk kanë performuar mirë në të gjitha qytetet”, tha ai në fjalimin e tij të natës me video.
“Në veçanti, ka shumë ankesa në Kiev. Për ta thënë butë, nevojitet më shumë punë.”
Zelenskyy tha se shumë nga banorët e qytetit kishin mbetur pa energji “për 20 apo edhe 30 orë” dhe bëri thirrje për “më shumë mbështetje” dhe “punë cilësore” nga zyra e kryetarit.
Në vazhdën e bombardimeve ajrore të Rusisë mbi infrastrukturën energjetike të fqinjit të saj, një përpjekje e dukshme cinike për të shkaktuar dëme maksimale ndërsa afrohet dimri, Ukraina ka ngritur “qendra të pathyeshmërisë”.
Këto janë strehimore emergjente ku njerëzit mund të kenë qasje në ngrohje, ujë, internet dhe shërbim të telefonisë celulare.
Më shumë se 4,000 janë ngritur deri më tani, por – sipas Zelenskyy – jo të mjaftueshme në Kiev.
Klitschko, një fytyrë kyçe e rezistencës ukrainase që nga fillimi i pushtimit të plotë të Vladimir Putin në shkurt, nuk i është përgjigjur kritikave të presidentit të tij./FolDrejt/