Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka mbërritur në Mbretërinë e Bashkuar për të falënderuar personalisht popullin britanik dhe kryeministrin Rishi Sunak për mbështetjen e tyre për Ukrainën,transmeton Ukrinform, përcjell Fol Drejt.
“Mbretëria e Bashkuar ishte një nga të parat që i erdhi në ndihmë Ukrainës. Dhe sot jam në Londër për të falënderuar personalisht popullin britanik për mbështetjen e tyre dhe kryeministrin Rishi Sunak për udhëheqjen e tij,” tha Zelensky.
Me të mbërritur në Britani, Zelensky tashmë është takuar me kryeministrin e vendit, Rishi Sunak. Ai pritet të mbajë një fjalim edhe në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar.
Kjo është vizita e parë e Zelensky në Mbretërinë e Bashkuar dhe udhëtimi i tij i dytë jashtë vendit që kur Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit të kaluar. Në dhjetor 2022, udhëheqësi ukrainas vizitoi Shtetet e Bashkuara. /FolDrejt/