Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, njoftoi se si rezultat i inspektimeve të kryera nga zyrtarët e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) në tre komplekse të Ukrainës, nuk u gjet ndonjë provë për aktivitet ose material bërthamor.
Në një mesazh me video të publikuar nga llogaria e tij Telegram, Zelenskyy bëri të ditur se nuk është gjetur ndonjë aktivitet bërthamor si rezultat i inspektimeve që janë kryer në tre komplekse të Ukrainës nga ekspertët e IAEA-së pas pretendimeve të Rusisë për “bombë të pistë” dhe kërkesës së Ukrainës për inspektim, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“E ftuam IAEA-në për kontroll. Atyre u dhamë lirinë për të vepruar në mënyrë të lirshme në komplekset përkatëse. Kemi prova të qarta dhe të pakundërshtueshme se askush në Ukrainë nuk ka prodhuar ndonjëherë ose nuk do të prodhojë ndonjë bombë të pistë” theksoi Zelenskyy.
Zelenskyy ka mbrojtur idenë e tij se në të vërtetë administrata e Moskës ndodhet pas një “loje të pistë” dhe e ka akuzuar Federatën Ruse për kryerjen e sulmeve “terroriste” kundrejt Ukrainës.
Duke rikujtuar se kohët e fundit forcat ruse po kryejnë sulme intensive ndaj infrastrukturave energjetike të Ukrainës, Zelenskyy tërhoqi vëmendjen se infrastrukturat në fjalë janë dëmtuar rëndë dhe se deri më tani nuk ofrohet shërbimi elektrik për 4,5 milion abonentë në të gjithë vendin.
“Rezistenca ndaj terrorit energjetik rus dhe kapërcimi i një sprove të tillë tani është detyra jonë kombëtare e cila është një prej detyrave tona kryesore”, ka vlerësuar ndër të tjera Zelenskyy./FolDrejt/