37 mijë e 780 turistë nga Rusia kanë hyrë në Shqipëri në 15 muajt e fundit.
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave të Shqipërisë të dërguara për Klankosova.tv.të ky numër i vizitorëve rusë është regjistruar nga janari i vitit 2021 e deri në mars të 2022-ës.
Në përgjigjen me shkrim nga INSTAT, theksohet se fluksi më i madh i turistëve nga Rusia ka qenë gjatë periudhës korrik-tetor 2021.
Gjatë kësaj kohe Shqipërinë e kanë vizituar 24 mijë e 146 turistë rusë.
Përkundër se gjatë këtij 15 mujori numër i madh i rusëve zbarkoi në Shqipëri, një kërkesë për t’ua ndaluar shkuarjen e turistëve nga Rusia në Shqipëri e bëri presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky gjatë një adresimi që pati të martën para Kuvendit të Shqipërisë përmes një video lidhjeje.
Mes tjerash, kryetari i Ukrainës vendi i të cilit po përballet me pushtimin rus tash e dy muaj tha se ekziston rreziku që në Shqipëri të shkojnë “vrasësit e Buchas apo edhe xhelatët e Mariupolit”.