Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha sot në Mynih në një konferencë të përbashkët me kryeministrin holandez Mark Rutte se “nuk duhet të ketë tabu” në furnizimin me armë në Ukrainë.
“Ukraina dhe Holanda bien dakord se nuk duhet të ketë tabu në furnizimin me armë të Ukrainës, sepse ajo mbron sovranitetin e Ukrainës”, tha Zelensky, sipas Reuters, përcjell Fol Drejt.
Aleatët që mund të furnizojnë Ukrainën me tanke luftarake duhet ta bëjnë këtë tani, tha sot kancelari gjerman Olaf Scholz, duke shtuar se Gjermania do të ndihmonte duke ofruar logjistikë, rifurnizimin dhe trajnimin e ushtarëve ukrainas.
“Për mua, ky është një shembull i asaj që udhëheqësit mund të presin nga Gjermania,” tha Scholz në Konferencën e Sigurisë në Mynih, sipas një transkripti të fjalimit të tij, siç raportohet nga Reuters.
Vendet perëndimore po përdorin marrëveshjet e Minskut për të përgatitur Kievin për një luftë kundër Rusisë për interesat e tyre gjeopolitike, tha sot përfaqësuesi i përhershëm i Rusisë në Kombet e Bashkuara Vasiliy Nebenzya.
“Si po përsëritet vit pas viti që ju mbështesni protokollet e Minskut, nënshkruani dokumente me ne, ndërsa në të njëjtën kohë mbanit një gur pas shpine dhe e konsideruat procesin e Minskut vetëm një perde tymi për të riarmatosur regjimin e Kievit dhe përgatiteni atë për luftë kundër Rusisë për hir të interesit të vet gjeopolitik”, tha ai në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, raporton TASS.
Bjellorusia është gati të fillojë prodhimin e avionëve sulmues me një mbështetje të vogël teknologjike nga Rusia, deklaroi sot presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko në një takim me presidentin rus Vladimir Putin.
Presidenti bjellorus vuri në dukje rezultatet pozitive të zbatimit të projekteve të zëvendësimit të importit në fushën e prodhimit të avionëve, raporton TASS.
SHBA do të mirëpresë transferimin e avionëve luftarakë në Ukrainë nga vendet e tjera, por nuk ka bërë asnjë premtim për një ndihmë të tillë, tha sot zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
“Nëse një nga partnerët dhe aleatët tanë dëshiron t’i dorëzojë z. Zelensky avionë luftarakë, atëherë sigurisht që është vendimi i tyre sovran, të cilin ne do ta mirëpresim”, tha Kirby gjatë konferencës, transmeton RIA Novosti.
Ai theksoi se Uashingtoni “kurrë nuk i ka diktuar partnerëve të tij se çfarë mund dhe nuk mund t’i japin” Ukrainës dhe në çfarë kushtesh ata duhet ta bëjnë këtë.
Mercenari rus Wagner Group ka pësuar humbjen e më shumë se 30,000 njerëzve në Ukrainë, njoftoi sot Shtëpia e Bardhë, raporton Reuters.
Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se 90 për qind e mercenarëve të Grupit Wagner të vrarë në Ukrainë që nga dhjetori ishin të dënuar, tha zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby./FolDrejt/