Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u ka bërë një thirrje vendeve anëtare të Bashkimit Europian që të ndalojnë dhënien e vizave për të gjithë qytetarët e Rusisë, në mënyrë që të mos shndërrohet në një “treg” për këdo që ka mundësinë për të udhëtuar.
Ai tha se ky propozim nuk ka të bëjë me rusët që kanë nevojë për ndihmë sepse rrezikuan lirinë apo jetën e tyre duke i rezistuar politikave të presidentit rus Vladimir Putin.
“Duhet të ketë garanci që vrasësit rusë ose bashkëpunëtorët të mos marrin viza Shengen,” tha Zelensky në fjalimin e tij.
“Së dyti, ne nuk duhet të shkatërrojmë vetë idenë e Europës, të vlerave tona të përbashkëta eropiane. Prandaj Europa nuk duhet të kthehet në një supermarket ku nuk ka rëndësi kush hyn dhe kryesorja është që ata që hyjnë thjesht paguajnë për mallrat që blejnë”.
Presidenti i Ukrainës propozoi ndalimin e dhënies së vizave për rusët në një intervistë për gazetën Washington Post, duke gjykuar se banorët e këtij vendi duhet të izolohen nga pjesa tjetër e botës derisa të ndryshojnë filozofinë e tyre.
Ky propozim i Volodymyr Zelensky deri më tani nuk është mbështetur nga asnjë nga vendet e fuqishme të BE-së. Megjithatë, presidenti ukrainas tha se ai ishte i inkurajuar nga mbështetja e shteteve baltike, ish-republikave sovjetike dhe e Republikës Çeke.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov , duket se ka minimizuar propozimin e bërë nga presidenti ukrainas në fillim të kësaj jave, duke thënë se “çdo përpjekje për të izoluar rusët ose Rusinë është një proces pa asnjë perspektivë”. /abcnews.al/