Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy tha se luftimet më të rënda me ushtrinë ruse vazhdojnë në qytetet Bakhmut dhe Vuhledar në rajonin e Donetskut.
Zelenskyy iu drejtua popullit me një video-mesazh ditor të publikuar ku ai ndau informacione lidhur me zhvillimet për luftën që vazhdon në Ukrainë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Luftimet më të ashpra midis ushtrisë ukrainase dhe ruse vazhdojnë në rajonin e Donetskut, tha Zelenskyy i cili shtoi se “Situata në front vazhdon të jetë jashtëzakonisht e rëndë në afërsi të Bakhmut-it dhe Vuhledar-it në rajonin e Donetskut”.
Duke akuzuar ushtrinë ruse për “eliminimin” e infrastrukturës civile në Ukrainë, Zelenskyy tha se “Pushtuesit jo vetëm që sulmojnë pozicionet tona, por shkatërrojnë qëllimisht qytezat dhe fshatrat tanë përreth”.
– Thirrje kreut të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar
Në fjalën e tij, Zelenskyy ftoi kreun e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar, Thomas Bach që të zbatojnë kufizime kundër Rusisë në fushën e sportit.
Ai tha se nuk është marrë ende një vendim që të ndalojë pjesëmarrjen e sportistëve rusë në Lojërat Olimpike.
“Është e pamundur të mos zhgënjehesh nga deklaratat e Thomas Bach, kreut aktual të Komitetit Olimpik Ndërkombëtar. Me atë kam biseduar disa herë. Nuk kam dëgjuar kurrë prej tij se si do ta mbrojë sportin nga propaganda e luftës nëse i kthen atletët rusë në garat ndërkombëtare”.
Zelenskyy mbrojti idenë se Bach nuk duhet të qëndrojë i paanshëm në periudhë lufte. “Me këtë rast e ftoj Bach në Bakhmut. Që të mund të shohë me sytë e tij se nuk ka paanshmëri”./FolDrejt/