Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy u kërkoi liderëve të G7 që të ndihmojnë me më shumë armë vendin e tij, përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes ajrore në luftën kundër Rusisë.
Zelenskyy nëpërmjet video-konferencës mbajti një fjalim në Samitin e Liderëve të G7, që po mbahet në Pallatin Elmau në shtetin gjerman të Bavarisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ai u kërkoi liderëve të SHBA-së, Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë që vendit të tij t’i sigurojnë më shumë armë, përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes ajrore.
Presidenti ukrainas gjithashtu u bëri thirrje liderëve të G7 për më shumë sanksione ndaj Rusisë ndërsa nga liderët kërkoi t’i ndihmojnë Kievit në eksportimin e produkteve të drithit dhe të ofrojnë ndihmë financiare për rindërtimin e Ukrainës.
Përderisa kanë kaluar 124 ditë nga lufta Rusi-Ukrainë, lufta në Ukrainë dhe efektet e saj në ushqim, sigurinë energjetike dhe ekonominë globale janë ndër temat kryesore në ditën e dytë të Samitit të Liderëve të G7.
Liderët e G7 sot në sesionin e pestë, planifikohet të trajtojnë investim për një të ardhme më të mirë në fushat e klimës, energjisë dhe shëndetësisë.
Pasdite liderët do të marrin pjesë në sesionin e gjashtë të titulluar “Siguria globale ushqimore, barazia gjinore”. Në këtë sesion, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres do të bisedojë me liderët rreth “krizës globale të ushqimit” nëpërmjet video-konferencës.
Dita e dytë e samitit do të përfundojë me darkën e liderëve të G7 dhe bashkëshorteve të tyre./FolDrejt/