Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kërkoi nga Bashkimi Evropian (BE) të përshpejtojë dërgesat e sistemeve të mbrojtjes ajrore, duke theksuar se gati një e treta e termocentraleve të vendit janë shkatërruar nga sulmet ruse.
Në një video-fjalim në takimin e liderëve të BE-së në Bruksel, Zelenskyy diskutoi zhvillimet e fundit në lidhje me luftën e Rusisë ndaj vendit të tij dhe përsëriti se të mbrosh Ukrainën do të thotë të mbrosh Evropën, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke theksuar se Rusia po përdor energjinë si armë kundër Evropës, Zelenskyy tha se është e mundur të arrihet pavarësia energjetike e BE-së.
Sipas tij, objektet e depozitimit të gazit të Evropës po mbushen dhe furnizimet alternative po i ofrohen kontinentit.
Duke folur për sulmet e fundit ruse në vend, presidenti ukrainas tha se ato u nisën qëllimisht për të parandaluar eksportin e energjisë nga Ukraina në BE.
Zelenskyy tha se sulmet nga raketat ruse të lundrimit dhe mjetet ajrore pa pilot (drone) të prodhuara nga Irani kanë shkatërruar më shumë se një të tretën e infrastrukturës energjetike të vendit.
Duke përsëritur nevojën për më shumë sisteme të mbrojtjes ajrore për t’iu kundërvënë sulmeve ruse, ai u kërkoi liderëve evropianë që të përshpejtojnë sa më shumë që të jetë e mundur zbatimin e rezolutave në këtë drejtim./FolDrejt/