Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy mbërriti në qytetin Hiroshima të Japonisë për të marrë pjesë në Samitin e Liderëve të G7.
Sipas lajmit të televizionit shtetëror NHK, Zelenskyy ka mbërritur në aeroportin Hiroshima me një avion të Francës, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Zelenskyy në një mesazh në Twitter tha: “Japoni. G7. Takime të rëndësishme me partnerë dhe miq të Ukrainës. Bashkëpunim sigurie dhe të zgjeruar për fitoren tonë. Paqja sot do të afrohet edhe më shumë”. Presidenti ukrainas do të takohet me liderët dhe do të synojë përmirësimin e solidaritetit aktual të vendeve të G7 me Ukrainën përballë sulmeve të Rusisë.
Në margjinat e samitit pritet që Zelenskyy të zhvillojë takime dypalëshe me presidentin e SHBA-së, Joe Biden dhe kryeministrin e Japonisë, Fumio Kishida.
Në një deklaratë nga Ministria e Jashtme e Japonisë thuhet se “Mes liderëve të G7 është vendosur që në ditën e fundit të samitit të mbahet një seancë me temë Ukrainën me pjesëmarrjen personalisht të Zelenskyy-t “.
Me vizitën në fjalë, Zelenskyy ka realizuar vizitën e tij të parë në rajonin e Azisë që nga shkurti 2022 kur Rusia filloi sulmet e saj.
Në samitin që mbahet nën organizimin e Japonisë, marrin pjesë liderët e SHBA-së, Francës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Kanadasë, Italisë dhe Bashkimit Evropian (BE). Samiti do të përfundojë më 21 maj.
Gjithashtu në samit janë ftuar edhe liderë nga Indonezia, India, Koreja e Jugut, Australia, Brazili dhe Vietnami si dhe përfaqësues të organizata ndërkombëtare./FolDrejt/