Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky mund të vizitojë Gjermaninë në maj me rastin e dhënies së çmimit Karli i Madh popullit ukrainas dhe atij personalisht.
Ceremonia do të zhvillohet në bashkinë e Aachen në Gjermaninë perëndimore më 14 maj. Organizatorët po përgatiten për këtë mundësi, njoftoi qyteti i Aachen në prag të Pashkëve. Por prania e presidentit ukrainas do të varet nga “situata e luftës në atë kohë dhe nga aspektet e duhura të sigurisë”, thanë ata, përcjell Fol Drejt.
Nëse ai nuk mund të vijë personalisht, ai do të bashkohet me lidhje video, thanë organizatorët, duke shtuar se ata po përgatiten edhe për atë opsion. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të mbajë një fjalim në ceremoni. Kancelari gjerman Olaf Scholz do të jetë gjithashtu i pranishëm dhe kryeministri polak Mateusz Morawiecki ose presidenti Andrzej Duda dhe presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu mund të marrin pjesë.
Data e ceremonisë tashmë është zhvendosur për shkak të samitit të G7 në Hiroshima më 19 maj. Ajo ishte menduar të zhvillohej më 18 maj.
Çmimi Charlemagne i Aachen-it është dhënë që nga viti 1950 për të promovuar unitetin evropian. Vitin e kaluar, aktivistet bjelloruse të të drejtave civile Svetlana Tihanovska, Veronika Tsepkalo dhe Marija Kolesnikova e morën atë./FolDrejt/