Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, nga foltorja e Kuvendit të Kosovës ka reaguar në lidhje me rastin e foshnjës së pajetë në Pejë, e cila u fut në rrobalarëse.
Zemaj në fjalën e tij e ka konsideruar si krim makabër fshehjen e rastit “nga pushteti përgjegjës”, siç ka thënë ai, duke vlerësuar se ky rast i ka kaluar të gjitha limitet.
“Dje kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë për rastin tragjik që ka ndodhur me foshnjën e pajetë në spitalin e Pejës të cilën e cilësojmë si një krim të rëndë dhe për më keq krim i cili është tentuar të fshihet nga pushteti për tetë ditë me radhë”, ka thënë Zemaj.
“E kemi thënë në vazhdimësi që kjo qeveri e cila i ka prodhuar tre ministra të Shëndetësisë për dy vjet me radhë, përfshirë edhe Kurtin, e ka arritur kulmin e dëmtimit në sektorin e shëndetësisë”.
“Mirëpo rasti për foshnjën e pajetë që pretendohet se është futur në rrobalarëse me qarqaf në Spitalin e Pejës, kjo i ka kaluar të gjitha limitet”.
“Është tepër i rëndë, tepër i frikshëm. Fshehja e rastit nga pushteti përgjegjës është krim makabër”.
“Kryeministri Kurti është i pari që duhet ta shkarkojë veten nga pozita e drejtorit të shëndetësisë”, ka shtuar Zemaj duke i këkuar kryeministrit Kurti që sa më parë ta emërojë një ministër të Shëndetësisë./FolDrejt/