Në Kuvendin që po zhvillon punimet në seancën e sotme, ka reaguar edhe deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, i cili ka sjellë një varg kritikash për mënyrën e menaxhimit të sektorit shëndetësor nga ana e kësaj qeverie.
Zemaj nuk ka lënë pa komentuar që në fillim as situatën në veri, për të cilën ka thënë se ka shqetësuar qytetarët tej mase dhe i ka larguar nga obligimet, transmeton Fol Drejt.
“Është e vërtetë që gjendja në Veri, situata e krijuar nga papërgjegjësia apo paaftësia e kësaj qeverie apo edhe tendenca që unë e quaj zhvleftësimi i 17 shkurtit në mendjen e Albin Kurtit dhe të tjerëve, është tregues i qartë që i ka shqetësuar qytetarët tej mase dhe i ka larguar nga obligimet, por dhe nga vështirësitë me të cilat përballen edhe ato të mirëqenies sociale, por edhe ato të shëndetit publik”, ka thënë Zemaj në Kuvend.
“20 muaj të kësaj paaftësie i kanë kushtuar shumë edhe sektorit të shëndetësisë, një muaj e më shumë nuk kemi ministër të Shëndetësisë nga gara dhe nga intrigat e brendshme në këtë sektor, të infiltruar nga njerëz të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilet nga tëndenca për të kapur paskajshmërisht njërin prej sektoreve më sensitive, e kanë krijuar një gjendje të keqe, apo edhe degraduese”, është shprehur Zemaj.
Tutje, ai kritikuar edhe Komitetin e udhëhequr nga kryeministri Kurti, i cili sipas Zemajt nuk ka marrë asnjë vendim deri më sot.
“Edhe komiteti për t’i mbuluar dështimet dhe paaftësitë, i vetëemëruar ministër Albin Kurti, asnje vendim nuk e ka marrë deri më sot.”
“Ajo çka është e papranueshme është linçimi dhe injorimi i profesionistëve shëndetësore, jo vetëm për mospërkrahje, por as për mosprezencë të sturkturave qeveritare dhe udhëheqëse të anës së tyre.”
Zemaj, ka kritikuar qeverinë edhe për përkrahjen karshi institucioneve private në krahasim me ato publike.
“Shikoni se si kanë lulëzuar institucionet private shëndetësore nga ardhja e kësaj qeverie. Rreth e rreth QKUK-së nuk ka pasë më shumë licencime se sa në këta 20 muaj as në Kosovën e pasluftës, ky është tregues i qartë, këto janë afera korruptive, kjo është tendencë për ta dobësuar sektorin publik, për të forcuar sektorin, për t’u pasuruar ata që kanë udhëhequr në këtë sektor dhe për t’u pasuruar klientela e tyre apo sekseret qe tash janë të infiltruar përmes strukturave politike dhe parapolitike në këtë sektor.”
Krejt në fund të fjalës, Zemaj ka kërkuar nga qeveria të krijohen kushte për profesionistët shëndetësorë e njëkohësisht ka kërkuar edhe sjelljen e ligjit të Shëndetësisë në Kuvend.
“Heqni dorë nga kjo qasje, krijoni kushte për profesionistët shëndetësorë, mos i linçoni, mos i ofendoni, mos i injoroni, por zbatone ligjin, sjellni ligjin e ri për shëndetësi, keni mashtruar ne dhe qytetarët se do të vijë në shtator, erdhi përfundimi i vitit, as ligji i pagave, as ligji për Shëndetësi nuk janë akoma në dorën e Kuvendit.”, ka përfunduar Zemaj./FolDrejt/