Shkruan: Zeqirija Ibrahimi
Fjala ime në hapjen e sesionit shkencor të konferencës mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë” në Tiranë.
I nderuari zëvendësministër i Arsimit të Republikës së Shqipërisë,
I nderuari Rektor i Akademisë së Studimeve Albanologjike, prof. Luan Përzhita,
I nderuari Drejtor i Agjencisë së Zbatimit të Gjuhës nga Shkupi, prof. dr. Ylber Sela,
I nderuari koordinues i konferencës “Një komb, një gjuhë”, prof. Valter Memisha,
Të dashur profesorë e kolegë,
Jam shumë i nderuar t’ju përshëndes ne emër të drejtorit të Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, prof. dr. Skender Asani, i cili sot – për arsye të përputhjes së kësaj agjende me një ngjarje tjetër – nuk mundi të jetë i pranishëm në këtë ngjarje.
Më lejoni me këtë rast të shpreh kënaqësinë time dhe të kolegëve nga Shkupi që sivjet ia dolëm që ne, Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, Akademia e Studimeve Albanologjike e Tiranës dhe Instituti Albanologjik i Prishtinës, ta organizojmë konferencën e përbashkët mbarëkombëtare shkencore “Një komb – një gjuhë”. Me gjithë vështirësitë e organizimit të kësaj ngjarjeje, ne për herë të parë bëmë që nga dy kumtues të secilit institucion të lartpërmendur të marrin pjesë në sesionin e institucionit tjetër. Kështu sot nga Instituti i Shkupit do të kumtojë prof. Qemal Murati dhe unë, për çka jemi shumë të nderuar.
Për neve është kënaqësi që kjo konferencë i filloi punimet në Shkup pikërisht më 22 nëntor, që ishte dita e fundit e manifestimit tradicional kulturor-shkencor “Ditët e Alfabetit”, e që përkon me ditën e Kongresit të Manastirit dhe ditëlindjen e themelimit të Institutit. Këtu dua t’ju them se 22 Nëntori është festë shtetërore në Maqedoninë e Veriut për shqiptarët. Ne ishim të nderuar që në Shkup na nderuan me pjesëmarrjen e tyre prof. Valter Memisha dhe prof. Valbona Sinanaj, si dhe kolegët nga Prishtina, të shoqëruar nga drejtori i Institutit Albanologjik, prof. Hysen Matoshi.
Duke qenë në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit, do më të lejoni të theksoj vetëm se gjuhëtarët shqiptarë të kësaj pjese të trungut të kombit, qoftë më 1972 ose sot, nuk kishin e nuk kanë dilema se pse ishte e pse është kaq shumë e rëndësishme gjuha standarde për unifikimin e kombit. Nënshkruesit e Rezolutës së Drejtshkrimit nga Maqedonia, prof. Petro Janura, prof.Remzi Nesimi dhe prof. Sejfedin Sulejmani, te ne nuk janë të nderuar vetëm si pjesëmarrës të këtij kongresi, por edhe si intelektualët që ditën ta vlerësojnë momentin për t’i dhënë udhë orientimit të kombit.
Para se ta përfundoj, dua t’ju them edhe një gjë. E di se ka politikanë që vijnë në Tiranë dhe shkojnë në Prishtinë dhe mburren se gjuha shqipe është zyrtare edhe në Maqedoninë e Veriut. Madje, shpesh i kanë joshur që me këtë të mburren edhe disa politikanë të Shqipërisë e të Kosovës. Vërtet gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nga viti 2018 vërtet ka shënuar një avancim të dukshëm dhe tash gjen përdorim në thuaja të gjitha institucionet e pushtetit qendror e lokal, aty ku shqiptarët janë mbi 20%, por ajo vazhdon të jetë një gjuhë e përkthyer dhe larg të qenit gjuhë zyrtare. Kodi i vetëm i komunikimit në Maqedoninë e Veriut vazhdon të jetë maqedonishtja dhe alfabeti i saj cirilik. Shqipja te ne nuk e ka as statusin që e ka serbishtja në Kosovë. Kjo nuk është akuzë për askënd, por duhet të jetë shtytje për të gjithë ne që të ndihmojmë në avancimin e pozitës së gjuhës shqipe në shtetin në të cilin shqiptarët zyrtarisht janë 30%, ndërsa vazhdojnë të trajtohen si minoritet.
Duke mos dashur ta zgjas, uroj që kjo e fundit të jetë një nxitje edhe për institucionet akademike të Shqipërisë dhe Kosovës, si dhe për drejtuesit e këtyre vendeve që, bashkë me fjalimet e gjata e të bukura mbi gjuhën standarde, të kujdesen edhe për politikat gjuhësore në Maqedoninë e Veriut, si dhe për avancimin e përdorimit të standardit në institucionet shtetërore, si edhe në ato arsimore.
Duke mos qenë nihilist, do të thosha se ky vit është një shembull i mirë se si duhet të bëhet kjo dhe për këtë e falënderoj Akademinë e Studimeve Albanologjike, si institucion, dhe prof. Valter Memishën personalisht, si edhe kolegët e Institutit Albanologjik të Prishtinës, sepse falë tyre ne tashmë e kemi skicuar ardhmërinë e albanologjisë në trekëndëshin Tiranë, Prishtinë dhe Shkup.
Po përfundoj duke i dëshiruar suksese kësaj konference, me shpresë se ngjarjet e këtilla do të na shtohen në të ardhmen.
Ju faleminderit!
Zeqirija Ibrahimi
Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup
Tiranë, 25.11.2022/FolDrejt/