Nëse një ushtri e rregullt ose një grup i armatosur me përkatësi tjetër bën një vrasje sistematike të burrave, në mënyrë që ta ndalë shtimin e atij populli/race (gjeni) dhe kjo vrasje ndodhë nga afërsia e pa gjyq, ndërsa viktimat nuk janë as të uniformuar e as të armatosur, kjo nuk ka si të cilësohet ndryshe, pos si gjenocid.
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup
Shfarosja sistematike, e planifikuar dhe e organizuar e shqiptarëve në Ballkan, e orkestruar nga Serbia, por jo vetëm, që ka filluar që nga Kongresi i Berlinit, për të përfunduar në fund të shekullit XX, mund të jetë shembull i rrallë në historinë njerëzore kur shfarosja e një kombi nga një shtet fqinj ose nga një popull fqinj zgjat kaq gjatë, lë pas vetes aq shumë viktima dhe ku, për fat të keq, ai që e ushtron shfarosjen sillet sikur të mos ketë ndodhur asgjë, sepse as nuk denjon të të kërkojë falje, ndërsa perëndimorët, si patronazhistë të rajonit në proceset euro-integruese, as nuk e kanë qejf që shqiptarët ta përmendin këtë fakt. Që ironia të jetë më e madhe, jo vetëm shtetet perëndimore, por edhe disa politikanëve e intelektualëve të vendeve tona u duket “pak si shumë” kur ne themi se “Serbia ka një shekull e gjysmë që ushtron gjenocid mbi shqiptarët në Ballkan dhe bota bën sehir”.
Pa i ripërsëritur dhjetëra masakrat e shifrat qindramijëshe të viktimave anekënd gjeografisë shqiptare në Ballkan, që nga shpërnguljet e dhunshme nga Sanxhaku i Nishit, që u bënë pas Kongresit të Berlinit, e deri te eksodi i vitit 1999 në Kosovë, në këtë shkrim – pa hiperbolizime e pa vajtuar për të fituar empati – do i sjellim vetëm dy ekzemplarë se çfarë u ka ndodhur shqiptarëve në këtë shekull të gjenocidit. Për t’i përballur faktet me përkufizimet shkencore, do ta sjellim këtu edhe definicionin për gjenocidin, që vetvetiu i përkufizon edhe këto dy ngjarje të dhimbshme.
Bllacë 1944
Në vjeshtën e vonë të vitit 1944 në fshatin Bllacë, që sot është në kufirin Kosovë-Maqedoni e Veriut, fshatarët kishin shpresë se lufta po përfundonte dhe se ata do t’i ktheheshin jetës normale. Megjithatë, shpresa e tyre ishte kthyer në makth.
Me pretendimin se po kërkonin forca të Ballit Kombëtar, që gjoja ishin strehuar në Bllacë (e që nuk u gjetën kurrë aty), më 14 nëntor 1944 Brigada XVI Maqedonase u fut në këtë fshat. Në krye të këtyre forcave partizane-çetnike ishin komandantët Dushko Terziovski dhe Nikodin Urdareviq.
Pasi që i maltretuan për dy ditë rresht fshatarët e Bllacës, gjoja që t’i zbulonin ballistët, në ditën e tretë – më 16 nëntor 1944 – ata do t’i ekzekutojnë me armë nga afërsia 111 fshatarë, mes tyre edhe një fëmijë 14-vjeçar, një grua 70-vjeçare dhe pleq të moshave të ndryshme. Megjithatë, shumica e të vrarëve ishin burra të rinj të moshës 20-40 vjeç. Vrasjet u bënë në pika të ndryshme të fshatit: te Stanet e Toçit, te Dheu i Bardhë dhe te Uji i Thartë. Nga gjithë fshati shpëtuan vetëm 28 burra, që kishin arritur të ikin, të fshihen ose nuk kishin qëlluar në fshat. Gjatë ekzekutimit, asnjë fshatar nuk kishte qenë i uniformuar dhe asnjëri prej tyre nuk kishte qenë i armatosur. Ishte kjo masakër vetëm për një arsye të vetme – ata ishin shqiptarë dhe duhej të vriteshin. Pasi që çetnikët partizanë ikën, më 17 nëntor 1944 fshati Bllacë u ngrys thjesht pa burra. Gratë e veja, fëmijët jetimë dhe disa pleq të pafuqishëm u desh ta vazhdojnë jetën me traumën e vrasjeve të familjarëve të tyre dhe në kushte të varfërisë ekstreme.
Pastaj, për gjysmë shekulli, kjo masakër gati se nuk është përmendur fare, sepse përmendja e saj e rrezikonte “vëllazërim-bashkimin” e kurdisur në ish Jugosllavinë socialiste, madje – ç’është e vërteta – edhe sot shumë shqiptarë nuk e dinë ose shtiren ashtu, sepse është për t’u habitur që sa pak përmendet kjo masakër. Natyrisht, asnjë gjyq nuk është zhvilluar për këto vrasje, madje askush nuk është akuzuar dhe askush kurrë nuk ka dhënë llogari për këtë.
Në kujtim të kësaj masakre, më 2004 – në 70-vjetorin e saj – për ta ruajtur të gjallë kujtesën kolektive të bllacnjanëve të rinj, por edhe të kombit në përgjithësi, në Bllacë është ngritur një “mur i kujtimit”, ku janë shkruar emrat e të gjitha viktimave.
Krushë e Madhe 1999
Pasi që lufta në Kosovë kishte marrë hov dhe Millosheviqi po dukej haptazi se donte t’i qëronte hesapet me shqiptarët, kësaj radhe përmes spastrimit etnik, më 24 mars 1999 Aleanca Veri-Atlantike (NATO), e prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mori vendim që avionët luftarakë të saj t’i sulmojnë caqet serbe. Këto sulme zgjatën deri më 10 qershor të atij viti, kur u nënshkrua marrëveshja e Kumanovës, me ç’rast Serbia u tërhoq nga Kosova.
Megjithatë, sapo kishin filluar sulmet e NATO-s, më 25 mars 1999 në fshatin Krushë e Madhe të Rahovecit u futën forca të mëdha serbe. Edhe këtu kishin gjetur një arsye, kësaj radhe ishte “kërkimi i UÇK-së”, e cila nuk kishte asnjë pikë në këtë fshat. Sidoqoftë, plani i shfarosjes do të vazhdonte.
Kështu, në tri ditët e ardhshme të golgotës për Krushën e Madhe u vranë 243 persona të këtij fshati. Vrasja u bë duke i ndarë burrat nga gratë e fëmijët dhe duke i ekzekutuar me armë nga afërsia. Meqë një pjesë të tyre i morën me vete, mbi gjashtëdhjetë persona të këtij fshati akoma figurojnë si “të pagjetur”.
Krusha e Madhe, në mëngjesin e 28 marsit 1999, do të gdhihej si fshat pa burra, me gra të veja, me fëmijë jetimë dhe me pleq të dërrmuar. Pas përfundimit të luftës, për shkak të varfërisë së madhe, gratë e veja të fshatit janë organizuar në kooperativa, duke prodhuar ushqime të ndryshme, për t’i mbajtur fëmijët. Kjo masakër kujtohet çdo vit në prani të grave që kanë mbetur pa burra dhe fëmijëve që kanë mbetur jetimë.
Gjenocidi
Termi “gjenocid” ka filluar të përdoret gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai është krijuar nga bashkimi i fjalës greke “genos” (gjen) dhe fjalës latine “occidere”, që domethënë “të vrasësh”. Kuptimi i saj është ta zhdukësh gjenin e dikujt, që është “tjetri”. Gjenocidi është trajtuar në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, e miratuar nga OKB-ja më 9 dhjetor 1948. Ajo ka hyrë në fuqi më 12 janar 1951. Sipas kësaj konvente, “gjenocid quhet cilido akt që kryhet me qëllim të zhdukjes së plotë ose të pjesshme të grupit kombëtar, etnik, racor ose religjioz”. Në këtë konventë, më tej, shpjegohen dhe specifikohen edhe kategoritë e tjera të gjenocidit, por thelbi i këtij përkufizimi mbetet ky.
Dhe, kur Bllaca e Krusha e Madhe kundrohen përballë këtij definicioni, nuk di si mund të kualifikohen ndryshe, pos si gjenocid. Nëse një ushtri e rregullt ose një grup i armatosur me përkatësi tjetër bën një vrasje sistematike të burrave, në mënyrë që ta ndalë shtimin e atij populli/race (gjeni) dhe kjo vrasje ndodhë nga afërsia e pa gjyq, ndërsa viktimat nuk janë as të uniformuar e as të armatosur, nuk ka si të cilësohet ndryshe.
Prandaj, duke mos ia ulur vlerën asnjë masakre tjetër, sepse te shqiptarët ato janë me qindra, edhe sikur të kishin qenë vetëm këto dyja, do të ishin të mjaftueshme që kryerësit e tyre të dënohen për gjenocid. Në këtë rast fajtorët do të ishin komunistët jugosllavë dhe Jugosllavia socialiste (për Bllacën) dhe Serbia e Millosheviqit (për Krushën e Madhe).
Për fat të keq, gjurmët e gjenocidit i kemi edhe sot. Madje, Serbia as sot nuk i fsheh prirjet për gjenocid, kjo edhe për arsye se kurrë nuk është penduar për atë që e ka bërë dhe, bile, i madhëron edhe sot kriminelët. Në anën tjetër, shqiptarëve u kërkohet të bëjnë kompromise në emër të integrimit në BE (edhe pse BE-ja Kosovës nuk ia heq as vizat, ndërsa Serbia i ka filluar negociata për anëtarësim në BE).
Si, duket, ka ardhur koha që shqiptari ta bëjë pyetjen: “A ishte më i rëndë gjenocidi apo mohimi i tij?”./Shenja/