Recension nga Zeqirija Ibrahimi
Secila vepër shkencore e ka peshën e saj dhe vendin saj, por janë disa vepra që janë të domosdoshme, pa të cilat një komb nuk bëhet dot. Ato janë veprat që e regjistrojnë të kaluarën dhe e mobilizojnë kujtesën e brezave për rëndësinë e njohjes së saj. E tillë është edhe vepra “Trashëgimia kulturore islame në Shkup ndërmjet dy luftërave botërore (dokumente, fotografi dhe dëshmi)” e autorëve Skender Asani dhe Nora Maliqi – Zylali, që vjen si botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve – Shkup.
Historia e monumenteve islame në Shkup fillon pasi që Jugit Beu e shtiu në dorë këtë qytet më 1392. Në të vërtetë, përkundër monumenteve të pakta të kohës paraosmane, që ekzistojnë në Shkup, siç është kalaja e qytetit, kisha “Shën Spas” etj., është e vërtetë e pamohueshme se Shkupi u bë qytet në plotkuptimin e fjalës vetëm pas etablimit të pushtetit osman aty, kur filloi të funksionojë jeta e njëmendtë urbane. Çarshia e Shkupit, që u bë epiqendra e qytetit, do të jetë bërthama rreth së cilës do të shtrihen lagjet e qytetit, ndërsa kalldrëmet, çezmat publike, hanet, hamamet, e veçmas objektet sakrale, siç janë xhamitë e teqetë, për pesë shekuj me radhë do ta krijojnë një qytet tipik oriental, njësoj si Selaniku i asaj kohe, që deri në ditët tona do ta ruajë me xhelozi këtë identitet, si edhe diversitetin etnik e religjioz.
Por, pas humbjes së osmanëve në Betejën e Kumanovës dhe tërheqjes së tyre nga këto troje, në Shkup fillon një epokë e re, që do të jetë shumë agresive për ta rrudhur identitetin oriental të qytetit, kjo në favor të krijimit të identitetit të ri sllavo-ortodoks. Kështu, në këto 110 vjet pushtetet janë ndërruar disa herë, por intenca që të përjashtohet identiteti oriental ose mysliman i qytetit ka mbetur aktive gjithnjë, madje deri në ditët tona.
Meqë periudha më e vështirë për identitetin e Shkupit ishin pikërisht vitet nga 1912 deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore (vitet e mëvonshme sjellin shtresën socialiste të qytetit), autorët e këtij libri – duke sjellë një mori dokumentesh, fotografish e dëshmish – janë përpjekur të na e paraqesin në mënyrë sa më autentike gjendjen e trashëgimisë islame në Shkup në atë periudhë.
Pas Hyrjes, që përveçse në gjuhën shqipe, është përkthyer edhe në gjuhën maqedonase dhe turke, libri shpaloset me një punim të një nxënësi të Medresesë së Madhe të Mbretit Aleksandar në Shkup (Državna velika medresa kralja Aleksandra), një shkollë e mesme që ka funksionuar në vitet 1924-1941. Autori i punimit, Nasuf Gaçoviq, duke punuar në temën “Trashëgimia islame në Shkup” (Muslimanske starine u Skoplju), sjell të dhëna të përgjithshme për monumentet osmane-islame në Shkup, që kishin mbetur akoma në këmbë në atë kohë. Ai flet për xhamitë, teqetë, hanet, hamamet, tyrbet, urat etj., një pjesë e të cilave sot më nuk ekzistojnë (bie fjala, xhamia Ibni Pajko etj.), ndërsa mes tjerash thotë se: “Përveç këtyre xhamive, në Shkup ka edhe rreth 20 mesxhide, të cilat janë në gjendje mjaft të dobët. Këto mesxhide në disa raste janë rrënuar për shkak të vjetërsisë, e në disa raste dhe për shkak të arsyeve të tjera, për të cilat tani nuk është vendi të flitet.”. Ndonëse nxënësit e kësaj shkolle ishin nën presion të indoktrinimit serb (edhe pse shumica e tyre përfunduan si komunistë), autori lë të nënkuptohet se ka edhe “arsye të tjera” se pse janë rrënuar ato xhami/mesxhide. Dhe, ata që e dinë historinë tjetër të asaj periudhe, siç janë edhe autorët e këtij libri, i dinë mirëfilli se cilat ishin “arsyet e tjera”.
Sidoqoftë, punimi i nxënësit Gaçoviq është mjaft i pasur me të dhëna. Ai, përveç informacioneve të përgjithshme për praninë osmane në Shkup, ka ofruar edhe data të rëndësishme të ndërtimit të të objekteve të kulturës osmane-islame, duke i transkriptuar dhe përkthyer ato nga osmanishtja, ndërsa secili që e lexon këtë tekst, përfiton një tablo të përgjithshme se cila ka qenë gjendja e këtyre monumenteve në Shkup në periudhën mes dy luftërave botërore. Se punimi i Gaçoviqit është vlerësuar seriozisht në kohën e tij flet edhe fakti se Qyteti i Shkupit e ka shpërblyer si tema më e mirë në këtë fushë.
Pjesa tjetër e librit të autorëve Asani dhe Maliqi-Zylali ka fotografi të këtyre objekteve, raporte të shtetit me vakëfin dhe këshillat e xhamive, është prezantuar i plotë “Statuti i Shoqatës Mbrojtja Juridike e Islamit”, që ishte një organizatë e themeluar pikërisht për ta mbrojtur trashëgiminë islame të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, janë prezantuar disa vendime për shkarkimet e mytevelinjve, kemi një ankesë drejtuar Bashkisë së Shkupit, që e kishte marrë pronësinë mbi varrezat islame, aty është vendimi për rrënimin e xhamisë Ibni Pajko më 1937, ndërsa vlen të përmenden disa momente se si ushtarakët serbë i drejtoheshin pushtetit në Beograd përkitazi me ankesat e komunitetit mysliman në Shkup. Kështu në një letër të vitit 1920, që një gjeneral i ushtrisë serbe ia dërgon ministrit të Fesë, thuhet se: “Zotëri ministër, në Shkup ka rreth 40 xhami, [prej të cilave] disa janë përdorur si tempuj, disa si magazina ushtarake dhe disa nuk funksionojnë. Turqit (serbët i quanin “turq” të gjithë myslimanët – Z.I.) kërkojnë që ato xhami që përdoren për magazina t’u jepen atyre. Kjo nuk mund të bëhet sepse të njëjtat nevojiten për magazina.”. Siç del sheshazi, serbët nuk e kishin fare problem në atë kohë që xhamitë t’i shndërrojnë në magazina dhe ato të përdoren si të tilla. Madje, në një letër tjetër (po ashtu më 1920), që një ushtarak tjetër (komandanti i Qarku të Tretë) ia dërgon ministrit të Luftës dhe Marinës, duke u ankuar për deklaratat e një deputeti mysliman, shprehet prerazi: “Dhe ku ishte ai z. deputeti Bajram dhe paraardhësit e tij të ngrihen për tempujt dhe priftërinjtë e krishterë kur serbët ishin nën turqit? Kur nuk lejohej të binte kambana e kishës, kur kisha nuk lejohej të hapej, kur të krishterët duhej të mblidheshin fshehurazi nëpër lugina si bisha të egra për t’u lutur tek Zoti. Ne po i tolerojmë shumë turqit dhe ata e konsiderojnë tolerancën tonë dobësi dhe prandaj kanë guximin që në këtë vendim të kërkojnë më shumë se sa kanë pasur nën turqit.”. Diskurs tipik hakmarrës, që u reflektua edhe praktikisht. Kjo ishte gjendja reale e qëndrimit të pushtetit serb ndaj kulturës islame në Shkup.
E që tabloja të jetë më e trishtë, realiteti më i hidhur i këtij tregimi, që në veprën e autorëve Asani dhe Maliqi-Zylali zë vend të rëndësishëm, është rrënimi i xhamisë “Burmali”, që ishte në shesh të qytetit. Për këtë ngjarje ata kanë sjellë disa dokumente. Në fakt, rrënimi i kësaj xhamie nuk ka qenë në shiritin e njëjtë të rrënimit të objekteve të kulturës islame ose shndërrimit të tyre në magazina. Rrënimi i xhamisë “Burmali” ka pasur simbolikë të veçantë. Në stilin e betejave mesjetare, serbët e përjetonin pushtimin e Shkupit si rikthim i perandorisë mesjetare serbe në Shkup, andaj – në trajtën e betejave tipike mesjetare – objektin më të rëndësishëm të qytetit duhej ta kthenin në identitetin e ri të qytetit. Prandaj, ata do ta rrënojnë xhaminë “Burmali” për ta ndërtuar në themelet e saj “Pallatin e Oficerëve”, që të jetë simbol i ngadhënjimit të ushtrisë serbe mbi ushtrinë osmane. Në këtë vepër janë dhënë procesverbalet e vendimeve për rrënimin e xhamisë dhe për ndërtimin e objektit të ri. Në këtë mënyrë, më 1925 xhamia “Burmali” do të rrënohet dhe kështu, praktikisht, sheshi i Shkupit do ta humbë identitetin oriental, për të mos e kthyer kurrë më, madje as në ditët tona. (“Pallati i Oficerëve”, i rrënuar nga tërmeti më 1963, është rikthyer në shesh me projektin “Shkupi 2014”).
Nëse e shikojmë Shkupin nga perspektiva e shpendit, duke i pasur në mendje pikat e këtyre monumenteve të kulturës islame në qytet, do të vërejmë se këto objekte janë rrënuar në mënyrë sistematike dhe identiteti islam i Shkupit është rrudhur mjaft, sa për të mbetur në një hapësirë të ngushtë, që sot përbën një përqindje shumë të vogël të qytetit. Goditjen e fundit këtij identiteti ia dha qeveria e viteve 2006-2016, e cila me projektin “Shkupi 2014” praktikisht e ka zhvendosur qendrën urbane të Shkupit, ashtu që identiteti oriental-islam i Shkupit tashmë është shndërruar në periferi.
Krejt kjo histori e betejës identitare në Shkup është pasqyruar në dokumentet e kësaj vepre dhe prandaj kujtoj se veprat e këtilla janë të domosdoshme për secilin shqiptar që jeton në Shkup, por jo vetëm. Edhe pse trashëgimia islame del përtej kornizave kombëtare, shqiptarët – si shumica myslimane e Shkupit – do të mbeten edhe trashëgimtarët e kësaj kulture në qytetin që deri para tërmetit të vitit 1963 ishin popullata më e madhe këtu.
Autorët duhet të përgëzohen për punën e vyeshme që kanë bërë në vjeljen e materialit arkivor, si dhe për mënyrën e sistemimit të lëndës, duke e sjellë në mënyrë të sintetizuar një pasqyrë koncize të gjendjes së xhamive dhe teqeve në Shkupin e mes dy luftërave botërore.
Vepra ka vlerë edhe për një arsye tjetër. Meqë shqiptarët e Shkupit gati e kanë humbur lidhjen e tyre me mesjetën, kjo më shumë për faj të tyre sesa të të tjerëve, ndërsa rilidhja kërkon shumë punë e shumë investime, ka mbetur shtresa islame si dëshmi e autoktonisë dhe pranisë historike shqiptare në këtë qytet. Kjo është edhe arsyeja që Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup e boton këtë vepër, për t’i dhënë peshë institucionale shkencore kësaj trashëgimie dhe për t’i dalë zot asaj si pronë e jona shpirtërore e kulturore. Ja, edhe një arsye më shumë që e bën këtë vepër kaq të rëndësishme për bibliotekën tonë.
*
* *
Jemi në vitin 2022. Ky është vit i disa përvjetorëve.
Më 1392, pra para 630 vjetëve, Jigit beu e shtiu në dorë Shkupin, për ta futur në kolonën e qyteteve osmane, ndërsa kur ky qytet do të dalë nga sundimi osman (më 1912), ai do të jetë qytet i njëmendtë urban dhe, veç kësaj, do të jetë qyteti me më shumë shqiptarë në gjeografinë tonë etnike.
Më 1912, pra para 110 vjetëve, në Shkup hynë kryengritësit shqiptarë që, duke e parë përfundimin e shtetit osman, për herë të parë kërkuan njohjen e kufijve etnikë të Shqipërisë në kuadër të shtetit osman. Sado që kërkesat e tyre mbetën të parealizuara, shqiptarët për herë të parë në histori dolën me konceptin për shtet të pavarur shqiptar, me çka i hodhën në ujë planet e fqinjëve ballkanikë për copëtimin e tokave shqiptare, por edhe e aktualizuan veten me një ide që as sot nuk është vjetruar.
Më 2022 shqiptarët kanë në Shkup institut hulumtues shkencor që, edhe me këtë vepër, ua mban gjallë kujtesën historike të këtij qyteti (dhe më gjerë), ndërsa e projekton identiteti e ri të Shkupit ku elementi shqiptar ka rol të rëndësishëm, ku kultura islame është e lidhur si mishi me thoin me identitetin etnik dhe ku shqiptarët – si askund tjetër në trojet e tyre, por edhe si askund tjetër në Maqedoninë e Veriut – dëshmojnë se, duke e fuqizuar identitetin e tyre, arrijnë ta artikulojnë dhe afirmojnë edhe bashkëjetesën ndëretnike e ndërfetare në Shkupin e pasur të diversiteteve.
Shkup, shtator 2022/FolDrejt/