Varësia nga gazi rus ndryshon sipas vendeve, ndërkohë që Gjermania dhe Italia importojnë vëllimet më të larta, tha Fitch Ratings.
Zëvendësimi i gazit natyror rus në Evropë mund të jetë sfidues në afat të shkurtër dhe do t’i mbajë çmimet e gazit të larta, tha Fitch Ratings, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Evropa importon rreth 60 për qind të kërkesës së saj totale për gaz natyror, ndërsa Rusia furnizon rreth një të tretën e konsumit të kontinentit apo 152 miliardë metra kub (bcm) me tubacion dhe 17 bcm si gaz natyror i lëngshëm (LNG), tha agjencia e vlerësimit kreditor.
Varësia nga gazi rus ndryshon sipas vendeve, ndërkohë që Gjermania dhe Italia importojnë vëllimet më të larta, tha Fitch Ratings.
Agjencia globale tha se Evropa planifikon të zëvendësojë rreth 100 bcm gaz rus deri në fund të këtij viti me 50 bcm nga furnizimet shtesë të LNG-së nga gjetiu, kurse pjesën tjetër nga zgjerimi i energjisë së erës dhe diellore, kursimet e energjisë dhe diversifikimi i burimeve të gazit të tubacionit.
BE-ja ka një kapacitet të konsiderueshëm importi të LNG-së prej rreth 157 bcm në vit, nga të cilat vetëm 80 bcm u përdorën në vitin 2021, duke lënë hapësirë për vëllime shtesë, thuhet më tej.
“Megjithatë, shumica e terminaleve të importit të LNG-së janë të përqendruara në Spanjë, Portugali, Francë dhe Itali, me infrastrukturë të kufizuar ekzistuese të tubacioneve për të ofruar gaz në Gjermani dhe disa vende të Evropës Qendrore dhe Lindore që janë më të varura nga gazi i tubacionit rus”, tha Fitch Ratings.
“Ne besojmë se plani i BE-së është i realizueshëm në afat të mesëm, nëse materializohen rritjet e propozuara në kapacitetin e LNG-së, ndërkohë që çmimet konkurruese të gazit në Evropë vazhdojnë të ridrejtojnë LNG-në nga Azia, krahas furnizimit shtesë të tubacioneve nga Algjeria dhe rritjes së burimeve të rinovueshme dhe efikasitetit të energjisë”, shtoi agjencia./FolDrejt/