Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar ndaj propozimit të Komisionit Evropian që i lejon udhëtimin pa viza bartësve të pasaportave të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë.
Në një reagim të tij në profilin në rrjetin social ‘Facebook’, ai thotë se ky propozim s’është diskutuar me Qeverinë e Kosovës, si dhe s’janë koordinuar e informuar ekzekutivi kosovar.
“Qeveria e Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj në lidhje me propozimin e Komisionit Evropian për pasaportat e lëshuara nga e ashtuquajtuara Drejtoria Koordinuese serbe. Ky propozim, nuk është diskutuar me Qeverinë e Republikës së Kosovës, e as konsultuar apo informuar mbi këtë”, thuhet në njoftim.