Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, qëndroi ditën e sotme në Bruksel ku mori pjesë në raundin e radhës të negociatave të nivelit të kryenegociatorëve, në kuadër të procesit të dialogut, thuhet në komunikatën e lëshuar për media, transmeton Fol Drejt.
Ai pati takim bilateral me Përfaqësuesin Special të Bashkimit Evropian për Dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajčák.
Në këtë takim, u diskutuan 4 tema kryesore. Tema e parë ishte ajo e planit të sekuencimit të zbatimit të Marrëveshjes Bazike, për të cilën zëvendëskryeministri Bislimi tha se:
“Eshtë parë nevoja të punohet më tej në konkretizimin e disa dokumentave të rëndësishme për të siguruar zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike. Tek plani i sekuencimit, ne kemi brenga me draftet e deritanishme që z. Lajçak i ka dërguar palëve tona, për arsye se mendojmë se ai plan fillimisht është selektiv, lë anash disa provizione të rëndësishme të Marrëveshjes Bazike, në mënyrë të njëanshme i kushton më shumë vëmendje kërkesave dhe preferencave të Serbisë dhe po ashtu nuk garanton zbatim të plotë të marrëveshjes. Në këtë drejtim ne kemi tentuar që sot bashkë me palën serbe, në një takim trilateral të vendosim të gjitha obligimet që palët ndërmarrin nga Marrëveshja Bazike, në një plan të detajizuar të sekuencimit. Nuk kemi arritur ta përfundojmë këtë mision, por kemi përmirësim apo ecje tutje.’’
“Fatkeqësisht nuk ka patur takim trilateral, por z. Lajçak ka menduar që kjo nuk mund të ndodh në këtë fazë sepse nuk e garanton konkretizimin final të planit të zbatimit. Ne ia kemi listuar dhe dhënë me shkrim BE-së të gjitha kërkesat tona apo obligimet që mendojmë se duhet të bijnë mbi palën serbe dhe duhet të konkretizohen përmes planit të zbatimit. Tani presim për hapat e rradhës.”
Tema e radhës ishte ajo e termave të referencës për Komisionin e Përbashkët që ka të bëjë me zbatimin e Deklaratës për Personat e Pagjetur: “Këtu kemi pas disa komente, pjesa më e madhe e të cilave është përshëndetur dhe pranuar nga ana e z. Lajçak. Ka mbetur vetëm një koment substancial me të cilin ata duhet të merren dhe mendoj që ky dokument është shumë afër adoptimit final që kishte me i hap rrugë dhe funksionalizimit të Komisionit të Përbashkët.” tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Tema e tretë e diskutuar është për termat e referencës për Komitetin e Përbashkët i cili merret me monitorimin e zbatimit të Marrëshjes Bazike: “Edhe këtu pala jonë ka prezantuar komentet që kanë të bëjnë kryesisht me nevojën që Komiteti i Përbashkët të mbetet brenda kornizave të parapara dhe në Marrëveshjen Bazike, që nënkupton një komitet që merret vetëm me monitorimin e zbatimit të marrëveshjes dhe nuk ka kompetenca vendimmarrëse, ekzekutive, nuk mund të zëvendësojë trupa të tjerë dhe mendoj që dhe këtu kemi patur gjuhë të përbashkët, kemi shkëmbyer dokumentet e edhe këtu presim ecje tutje.” sqaroi zëvendëskryeministri Bislimi.
Tema e katërt është ajo e energjisë. Në lidhje me këtë, zëvendëskryeministri Bislimi shpjegoi se “Në takimin e fundit që kemi patur në Bruksel ka patur një keqinterpretim nga ana e BE-së për atë se si duhet të duket marrëveshja që garanton nënshkrimin e kontratës. Në Bratisllavë është eliminuar ky keqkuptim dhe mendojmë se jemi shumë afër nënshkrimit të kontratës mes Keds-it dhe Elektrosever-it.”
I pyetur nga gazetarë sa i përket masave ndëshkuese të BE-së, ai tha se: “Dakordimi (i Bratisllavës) ka të bëjë me zbatimin e kërkesave të BE-së dhe i përgjigjet këtyre kërkesave. Për ne ka qenë e qartë që nga fillimi që kjo është rruga për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës dhe është habi që ende nuk kemi një letër shpjeguese nga ana e z. Borrell që kërkon heqjen e masave nga ana e Komisionit Evropian.”
Në fund, zëvendëskryeministri Bislimi shpjegoi më gjerësisht mbi planin e sekuencimit dhe kërkesat e Kosovës: “Nga propozimet tona të sotme në takimin bilateral me z. Lajçak, kemi treguar për secilën masë apo veprim, se nga cili nen i Marrëveshjes Bazike buron dhe kemi kërkuar interpretim nga BE-ja se a pajtohen që kjo masë buron nga Marrëveshja Bazike apo jo.”
“Për aq kohë sa nuk mund të dokumentohet që kërkesat e Kosovës nuk derivojnë nga Marrëveshja Bazike është problem për BE-në të thotë që këto nuk duhet të jenë pjesë e zbatimit, për arsye se Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në plotni.”
“Ne kemi kërkuar që të ketë qartësim të plotë të hapave në mënyrë që të respektohet vetë kriteri i dhënë nga BE-ja ku thuhet që zbatimi duhet të ketë një mënyrë konsekutive ku Kosova bën diçka e Serbia bën diçka. Për çdo masë, për çdo veprim që kërkohet nga Kosova, ne kemi kërkuar të dijmë se cili është kundërveprimi nga ana e Serbisë dhe mendoj që do të jetë problematike për palën serbe të argumentojë se ata nuk duan të zbatojnë ndonjë pjesë të marrëveshjes ose duan që pjesë kryesore të marrëveshjes t’i zhvendosin për në fund, për arsye se kriteri i veprimeve ku të dyja palët bëjnë diçka duhet të respektohet në plotni.” përfundoi zëvendëskryeministri Bislimi.