Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mori pjesë në hapjen e panairit ndërkombëtar “Agrokos”.
Në fjalën e tij, Bislimi tha se prezenca e kaq shumë kompanive tregon për reputacionin që ka fituar ky panair jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon dhe ndërkombëtarisht, transmeton Fol Drejt.
Duke qenë se eventi organizohet edhe nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës, zëvendëskryeministri Bislimi u shpreh i lumtur që të ndihmojmë në promovimin e këtyre iniciativave.
“Nuk ka interes më të madh për ne se të shohim rritje të prodhimtarisë së kompanive vendore, rritje të kapaciteteve të tyre dhe depërtimin në tregje ndërkombëtare.” tha zëvendëskryeministri Bislimi.
Ndër prioritetet e Qeverisë është dhe orientimi kah bujqësia dhe promovimit të sektorit agro ushqimor. Përveç mekanizmave institucional, mbrojtja e konsumatorit është tjetër prioritet i yni. U theksua se përkundër angazhimeve në bujqësi, ne duhet të kujdesemi që të kanalizojmë prodhimet tona bujqësore në ato sektorë që kanë kapacitetet më të larta.
Evente të tilla si Agrokos, shërbejnë gjithashtu dhe për rrjetëzimin dhe ngritjen e kontakteve mes kompanive nga vendi dhe rajoni. Qeveria do të vazhdojë të bashkëpunojë dhe të nxisë panaire të tilla ndërkombëtare. Zëvendëskryeministri Bislimi përgëzoi kompanitë pjesëmarrëse në panair dhe shprehu dëshirën që në vitet e ardhshme të ketë pjesëmarrje edhe më të gjerë në panaire të tilla.
Panairi Agrokos, organizohet nga kompania Ceo, edhe nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Prezent në event ishte dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci, misione diplomatike, dhe zyrtarë të lartë nga rajoni./FolDrejt/