Vizita zyrtare në Francë e Zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, filloi me një mëngjes pune me përfaqësues diplomatikë të disa prej shteteve anëtare në Francë, ku ishin prezent Ambasadori i Republikës së Çekisë, Michal Fleischmann, Zëvendës Shefi i Misionit të Polonisë dhe ai i Italisë, Wieslaw Tarka e Antonio Cascio dhe i Ngarkuari me Punë i Bullgarisë, Emil Kazakov, transmeton Fol Drejt.
Ai zhvilloi një bisedë të frytshme me përfaqësuesit diplomatikë të këtyre shteteve, të cilët fillimisht i falënderoi për mbështetjen e shteteve të tyre ndaj Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri Bislimi i informoi ata për hapat tanë në zhvillim ekonomik e integrim evropian, si dhe mbi procesin e dialogut dhe situatën aktuale, përfshirë sulmin terrorist e aktin e agresionit të 24 shtatorit të sponsorizuar e mbështetur nga Serbia.
U theksua se Kosova po performon pozitivisht në indikatorë të ndryshëm përtej barrierave e pengesave me të cilat vendi ynë është përballur.
Zëvendëskryeministri Bislimi shtoi se në vazhdimësi po dëshmojmë vullnetin dhe angazhimin e Republikës së Kosovës në avancimin e agjendës evropiane.
Në këtë takim, zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej nga ambasadori i Republikës së Kosovës në Francë, Mehdi Halimi./FolDrejt/