Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim deputetin e vetëm shqiptar nga Parlamenti i Serbisë, z. Shaip Kamberi, për të diskutuar pozitën e vështirë dhe diskriminuese që shqiptarët përjetojnë në Luginën e Preshevës, përcjell Fol Drejt.
Në vend të krijimit të hapësirës së nevojshme institucionale për të garantuar të drejtat kolektive të shqiptarëve, Serbia po gjeneron pengesa dhe vështirësi për ta, duke i kufizuar në këtë mënyrë për shkak të përkatësisë së tyre etnike.
Deputeti Kamberi ka paraqitur 4 propozime që synojnë të krijojnë mekanizma ligjor për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave. Megjithatë, Parlamenti i Serbisë refuzon t’i trajtojë ato, duke i lënë jashtë rendit të ditës.
Propozimet përfshijnë ndryshimin e Ligjit për përdorimin e lirë të simboleve kombëtare nga pakicat, Ligjin për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të pakicave, Ligjin mbi organizimin territorial të gjykatave dhe ndryshimin e Rregullores parlamentare.
“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit shqiptar në Serbi dhe ndërmarrjen e hapave për të adresuar shkeljet e të drejtave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.
Poashtu, mbetemi të angazhuar maksimalisht dhe në zgjidhjen e çështjes së licencimit të mjekëve shqiptarë nga Lugina e Preshevës, të cilët punojnë në Kosovë.”, thuhet në njoftimin e zyrës së Bislimit.