Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Drejtorin Ekzekutiv të Bankës Botërore, Hayrettin Demircan.
Në takim u bisedua mbi sfidat e tanishme, me fokus në inflacionin dhe krizën energjetike të prodhuar nga evazioni rus në Ukrainë, efektet e së cilës janë të prekshme në të gjithë kontinentin evropian, përfshirë dhe Kosovën. Palët diskutuan gjithashtu dhe mbi mundësitë eventuale në shërbim të thellimit të bashkëpunimit dhe rritjes së mbështetjes së kësaj banke ndaj projekteve dhe ideve konkrete për investime në Kosovë.
Zëvendëskryeministri foli mbi trendin pozitiv të vitit të kaluar, ku vendi, sipas tij, shënoi rritje dyshifrore ekonomike, teksa në krahasim me vitin e kaluar dhe ato pararendës, tha se janë rritur të hyrat buxhetore, eksporti, formalizimi i ekonomisë si dhe investimet e huaja.
Demircan theksoi se është i impresionuar nga potenciali i madh zhvillimor i Kosovës dhe mundësitë e investimit në fusha strategjike. Ai u zotua për të vazhduar me bashkëpunimin dhe mbështetjen për agjendën zhvillimore të Kosovës.
Bislimi e falënderoi Demircanin për vizitën, bashkëpunimin e ngushtë dhe përkushtimin ndaj sfidave të përbashkëta./FolDrejt/