Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim eksperten pranë ECOSOC, njëkohësisht Drejtoren e Institutit të Financave të Libanit, Lamia Moubayed Bissat.
Ekspertja Bissat, shprehu kënaqësinë e saj që ndodhet në Kosovë e që po mëson më shumë mbi historinë dhe zhvillimin e vendit tonë. Ajo gjendet në Kosovë me rastin e mbajtjes së konferencës ‘’KosovaPar2023’’, ku po diskutohet për të ardhmen e Administratës Publike, fleksibilitetin, stabilitetin dhe digjitalizimin e saj, e cila po organizohet nga Ministria e Punëve të Brendshme.
Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi se reforma e administratës publike është prioritet i Qeverisë sonë. Znj. Bissat e vlerësoi këtë përkushtim të Qeverisë, duke thënë se reforma e administratës publike si prioritet, nuk është diçka të cilën e vërejmë shpeshherë në vende të ndryshme, andaj edhe është për t’u përgëzuar.
Më tej, zëvendëskryeministri Bislimi foli dhe mbi politikat ekonomike dhe nismat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim uljen e pabarazisë e shpërndarjen e barabartë.
Duke e falënderuar për vizitën e fjalët e saj inkurajuese, zëvendëskryeministri Bislimi i dëshiroi qëndrim produktiv në Kosovë ekspertes Bissat. Nga ana tjetër, ajo shprehu admirimin e saj për punën që po bëhet dhe gatishmërinë për bashkëpunim të mëtejshëm.