Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, ka pritur ditën e sotme në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës së Çekisë, z. Pavel Bilek. Palët konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale dhe punën e zhvilluar gjatë mandatit të ambasadorit Bilek përmes thellimit të bashkëpunimit mes vendeve tona si dhe vizitave të shumta diplomatike të zhvilluara si në Pragë e poashtu dhe në Prishtinë. U theksua bashkëpunimi në fusha kyçe, veçanërisht sektori i energjisë së ripërtëritshme dhe menaxhimi i ujërave të zeza, transmeton Fol Drjet.
Si një përkrahëse e madhe e rajonit, Presidenca Çeke e Këshillit të BE-së gjatë vitit të kaluar ka qenë ndër më të suksesshmet. Vendet e rajonit avancuan në rrugën e tyre drejt BE-së, përfshirë Kosovën e cila arriti të ketë vendimin politik dhe konsensusin e shteteve anëtare mbi liberalizimin e vizave si dhe zyrtarisht pranuan në Pragë aplikimin tonë për anëtarësim në BE.
Në takim u bisedua dhe mbi zhvillimet e fundit në veri të vendit, ku zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është shtet sovran, i cili ndjek parimet demokratike e vlerat evropiane e perëndimore, dhe është në të drejtën e saj legjitime, për t’i shërbyer të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim.
Puna mes vendeve tona do të vazhdojë edhe në të ardhmen në drejtim të inkurajimit të rritjes së investimeve çeke në Kosovë dhe vizitave biznesore nga miqtë tanë në vendin tonë.
Zëvendëskryeministri Bislimi i uroi fat e suksese të mëtejme ambasadorit Bilek në angazhimin e tij të radhës./FolDrejt/