Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim Zëvendës Drejtorin e Departamentit për Ballkan në Ministrinë për Evropë dhe Punëve të Jashtme të Francës, Nicolas Faye, i cili shoqërohej dhe nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.
Në fillim të takimit, z. Faye e uroi zëvendëskryeministrin Bislimi në arritjet e fundit për të ardhmen evropiane të Kosovës, siç është liberalizimi i vizave dhe kalimi i etapës së parë për anëtarësimin e plotë në Këshillin e Evropës.
Zëvendëskryeministri Bislimi shprehu falënderimin për mbështetjen e Francës për të ardhmen evropiane të Kosovës, mbështetje kjo e rëndësishme duke qenë se vjen nga një partner dhe aleat kyç për vendin.
Palët diskutuan dhe për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me theks të veçantë në zhvillimin e avancimin e bashkëpunimit zhvillimor dhe ekonomik. Projekte të ndryshme po fillojnë të marrin formë në mes dy vendeve tona të cilat në vijim do të mund të kalojnë në fazat implementuese. Këto projekte prekin fusha e sektorë si tranzicioni drejt energjisë së gjelbër, efiçenca e energjisë apo dhe trajtimi i ujërave të zeza.
Në takim u diskutua dhe mbi procesin e dialogut dhe implementimin e Marrëveshjes Bazë të normalizimit të marrëdhënieve dhe Aneksit të Zbatimit. Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi se Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar dhe e angazhuar, aktive e konstruktive në këtë proces ku përfitues kryesorë duhet të jenë të gjithë qytetarët. /FolDrejt/