Gjatë qëndrimit ditën e sotme në Bruksel, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, u takua me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.
Takimi u fokusua në bisedime mbi të arriturat e Kosovës, rrugëtimin në integrimin evropian të vendit dhe hapat e ardhshëm. Vëmendja e Qeverisë është e orientuar fuqishëm kah zbatimi i reformave në kuadër të agjendës evropiane.
Zëvendëskryeministri Bislimi potencoi mesazhin e përkushtimit dhe angazhimit të Kosovës për të ecur bindshëm drejt Bashkimit Evropian dhe vijimësinë në trajektoren e progresit në sundim të ligjit, demokratizim, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, politikat sociale, zhvillim ekonomik e kohezion shoqëror.
Ai e falënderoi Komisionerin Varhelyi për bisedën e frytshme, duke shprehur gatishmërinë për bashkëpunim të vazhdueshëm në rrugëtimin dhe proceset e integrimit evropian të Kosovës, transmeton Fol Drejt.