Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, mirëpriti në një takim Unionin e Afaristëve Vizioni për Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc të kryesuar nga Xhelal Memeti, Fatgzim Latifi, Muhamed Ramadani dhe Shefki Jonuzi. Zëvendëskryeministri Bislimi shoqërohej në këtë takim nga zëvendësministri i MBPZhR, z. Imri Demelezi.
Presheva, Medvegja dhe Bujanoci përveç diskriminimit sistematik vuan edhe nga margjinalizimi ekonomik nga institucionet shtetërore serbe. Injorimi dhe mos implementimi i marrëveshjeve me përfaqësuesit politik dhe institucional të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, ka sjellë mungesë të theksuar të vëmendjes për këtë zonë.
Në takim u diskutua edhe mbi situatën e bujqve dhe fermerëve. Qeveria ka adresuar çështjet që lidhen me bujqësinë të Luginës së Preshevës e cila mbetet një nga burimet e qytetarëve të këtyre komunave, si mundësi e identifikuar për mbështetje.
Në këtë drejtim është e rëndësishme të krijohet harta bujqësore e Luginës së Preshevës, e të hartohen programet e trajnimit të bujqve dhe blegtorëve si dhe programet e mbështetjes financiare.
Qeveria e Republikës së Kosovës mbetet e përkushtuar për të adresuar këto çështje dhe mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës. /FolDrejt/