Zëvendësministri i Mbrojtjes i Kosovës, Shemsi Syla, ka bërë të ditur se janë të gatshëm të dërgojnë edhe trupa të tjerë të FSK-së, varësisht nga nevoja, teksa ka treguar se FSK do të qëndrojë në Turqi deri në vlerësimin e autoriteteve zyrtare turke për menaxhimin e krizës.
Kështu ka bërë të ditur i dyti i Ministrisë së Mbrojtjes për klankosova.tv, transmeton Fol Drejt.
“Kontigjenti i FSK-së i angazhuar në operacionin e kërkim-shpëtimit në Turqi, pas tërmetit do të qëndrojë deri në vlerësimin e autoriteteve zyrtare turke për menaxhimin e krizës”, tha Syla për Klankosova.tv
“Kërkimet janë duke vazhduar. Në operacion aktualisht kemi të angazhuar dy njësi të kërkim-shpëtimit urban, dy njësi të mjekësisë emergjente, tre njësi të K9, si dhe një ekip të oficerëve dhe nënoficerëve për detyra shtabore dhe planifikuese.
“Varësisht nga nevojat dhe kërkesat e palës turke, FSK është e gatshme të dislokojë edhe kapacitete tjera shtesë”.
“Deri më tani ushtarët kanë shpëtuar tre persona, në mesin e tyre dy fëmijë dhe një grua”, tha ndër tjerash Syla./FolDrejt/