Arsim Berisha, zëvendësministër i Shëndetësisë tha sot se Konventa për të Drejtat e Fëmijës, siguron që asnjë fëmije të mos i mohohet e drejta për të pasur shërbime të kujdesit shëndetësor të sigurt dhe cilësor, transmeton Fol Drejt.
Në konferencën e Pestë Ndërkombëtare për Shëndetin , Mirëqenien, Edukimin dhe të drejtat e fëmijëve, organizuar nga Qendra për Hulumtime Psiko-Sociale dhe Mjekësore, mbajtur në Kolegjin AAB, kushtuar Ditës Botëore të fëmijëve, zëvendësministri Berisha tha se e drejta e fëmijës për mbijetesë dhe zhvillim të shëndetshëm është e përcaktuar edhe në legjislacionin vendor, që garanton sistem jo-diskriminues, barazi, cilësi, ndershmëri, përgjegjësi dhe gjithë-përfshirje, politika këto që janë të përafruara me standardet ndërkombëtare.
“Mbështetur në këto qëllime, ne punojmë të zhvillojmë shërbimeve cilësore shëndetësore, me qasje të lehtë që do rezultojë me përmirësimin e statusit shëndetësor tё fëmijëve dhe ngritjen e kualitetit të jetës së tyre. Shëndeti i fëmijëve ёshtё prioritetet për Ministrinë e Shëndetësisë të cilin e kemi definuar kështu edhe nё dokumentet tona strategjike, si përkushtim për fillim të shëndetshëm të jetës”, theksoi ai./FolDrejt/