Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arsim Berisha, ka folur në lidhje me masat që janë ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së COVID-19, i cili ka thënë se të gjitha këto propozohen nga ministri i Shëndetësisë dhe aprovohen nga qeveria e Kosovës.
Berisha theksoi se ora policore ka efekt në parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Mendoj që ka arsye arsye kufizimi i kësaj forme, pengimin e lëvizjes nuk e bën ministria e Shëndetësisë por janë inspektorët e AUVK-ut dhe ministria e Brendshme, por ka efekt sepse këto nuk janë dhënë nga ana e kabinetit të ministrisë në kokë në veti, por janë marr propozime nga njohësit më të mirë të shëndetit publik”, ka thënë Berisha.
Berisha në “Info Magazine”, shtoi se kemi kaluar një valë të variantit Delta më shpejtë se vendet e tjera, dhe gjithashtu kemi qenë vendi i vetëm stabil në këtë periudhë në Evropë karshi pandemisë.
“Të gjitha masat që janë ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësisht vendimet e qeverisë së Republikës së Kosovës, janë analizuar nga të gjithë që merren me këto çështje, është një komision ndërinstitucional shtetërorë, këto masa propozohen nga ministri i Shëndetësisë dhe aprovohet nga qeveria e Kosovës, asnjë gjë nuk dallojmë nga shtetet evropiane apo botërore siç është SHB-ja”, ka thënë Berisha.
“Ne kemi kaluar një valë të Deltës më shpejtë se vendet e tjera, dhe jemi vendi i vetëm që ka muaj që jemi stabil karshi pandemisë në aspektin negativ, këto masa i kemi marrë me ardhjen e Omikronit gjatë muajit dhjetor, dhe duke pasur parasysh që në vendet evropiane ka ndodhur një infektim në masë të madhe, dhe duke e ditë që popullata e Kosovës e ka përqafuar idenë e ministrisë së Shëndetësisë e njerëzve që kanë rekomanduar vaksinimin, dhe jemi vendi i vetëm në këtë pjesë të Ballkanit që kemi përdorur vetëm dy vaksina, Pfizer dhe Astra Zeneca, kjo na ka bë më të përgatitur në këtë situatën që gjendemi dhe duke ruajtur shëndetin publik edhe tek fëmijët”, shtoi Berisha.