Albulena Haxhiu ka thënë se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit, duhet të jetë transparent.
Ministrja e Drejtësisë e tha këtë gjatë konferencës vjetore të prokurorëve.
“Sigurohuni që ky proces te jetë transparent, i drejtë, profesional dhe meritor. Faleminderit për punën e mirë që keni bërë. Ministria e Drejtësisë është e gatshme të kontribuojë dhe avokojë për ju. Fati i qytetarëve është në duart tona”, u shpreh ajo ndër të tjera.
Për më shumë, ajo kërkoi nga prokurorët që ta ushtrojnë detyrën e tyre në mënyrë të pavarur:
“Duhet të keni parasysh parimet që do t’ju udhëheqin gjatë punës suaj. Ushtrojeni detyrën tuaj në mënyrë objektive dhe të pavarur. Nuk ka më mirë se qytetarët të ju njohin për punën e ndershme dhe profesionale, dhe për guximin. Ne duhet të dëshmojmë që askush nuk është i pa prekshëm dhe se të gjithë janë te barabartë para ligjit.”, ka thënë ajo.
Më tutje, Ministrja Haxhiu kërkoi që t’u kushtohet vëmendje rasteve të dhunës në familje./F.D/