Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë me dije se që sot (26 nëntor 2022) ka nisur periudha e aplikimit për regjistrim për të ushtruar të drejtën e votës jashtë Kosovës për zgjedhjet e jashtëzakonshme që do të mbahen me 18 dhjetor në Kosovë, në katër komunat veriore.
Ky afat i aplikimit do të përfundojë me 30 nëntor, transmeton Fol Drejt.
Të drejtë vote kanë edhe ata që nuk e kanë shtetësinë e Kosovës, por që kanë të drejtë të jenë shtetas të Kosovës, sipas Ligjit për Shtetësi.
Detajet më të hollësishme për aplikimin për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë të paraqitura edhe në ueb faqen e KQZ-së.
KQZ ka inkurajuar të gjithë qytetarët që kanë të drejtë vote e që jetojnë jashtë Kosovës, ta shfrytëzojnë këtë periudhë për t’u regjistruar si votuëes jashtë Kosovës, derisa bëhet e ditur që periudha kur ata do të mund të votojnë përmes postës është periudha 9-16 dhjetor.
Kujtojmë se zgjedhjet në katër komunat veriore: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan vijnë pas dorëheqjes së kryetarëve në këto katër komuna dhe do të mbahen me 18 dhjetor./FolDrejt/