Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA) i kanë cilësuar zgjedhjet në Kosovë, si të rregullta, shkruan Fol Drejt.
Sipas ShBA-ve zgjedhjet që u mbajtën në komunat e Kosovës: Leposaviq, Mitrovicë të Veriut, Zveçan dhe Zubin Potok më 23 prill të vitit 2023, ishin në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.
“Na vjen keq që jo të gjitha partitë e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t’u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullatave të cilave u shërbejnë. Votimi është një liri kritike e shoqërive demokratike. Ne i njohim përpjekjet e zyrtarëve zgjedhorë kosovarë për t’i vënë vendet e votimit në dispozicion të qytetarëve që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke minimizuar pikat e mundshme të tensionit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga ambasada e ShBA-ve.
“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet më tej në komunikatë./FolDrejt/