VMRO-DPMNE-ja vlerëson se ndryshimi i modelit zgjedhor para Qeverisë teknike është i pamundur. Sipas tyre, Qeveria nuk ka treguar gatishmëri konsensusi për shumë çështje dhe nuk po tregon as për ndryshime në Kodin Zgjedhor. Opozita mbetet në qëndrimin se rëndësi duhet t’i kushtohet reformës zgjedhore dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së.
Vetëm dy muaj para Qeverisë teknike dhe pesë muaj para zgjedhjeve është e pamundur të bëhet ndryshimi i modelit zgjedhor. Ne si VMRO-DPMNE kemi formuar ekip për negociata dhe i dhamë një shans procesit, por Qeveria është ajo e cila nuk ka shprehur interes jo vetëm në këtë çështje por në të gjitha çështjet për të cilat janë formuar grupe pune- deklaroi Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
LSDM-ja mbron idenë të cilën e kishte promovuar para ardhjes në pushtet, përkatësisht ndryshimin e modelit zgjedhorë në një njësi. Subjektet nga blloku politik shqiptar janë të ndara. Opozita shqiptare kërkon model me 3 njësi dhe lista të hapura, ndërsa BDI-ja mbron idenë për gjashtë njësi, por kërkon pastrim të listës zgjedhore dhe balancim të njësive. Subjektet e vogla parlamentare dhe ato jashtë parlamentare dorëzuan iniciativë në Kuvend për përfshirje në procesin e negociatave për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Ata kërkojnë që modeli zgjedhorë të bëhet me një njësi dhe lista të hapura, duke mos përfshi prag për garantimin e ulëseve në Kuvend apo vendosjen e pragut minimal pre 1 për qind. Në takimin e fundit të liderëve ndryshimi i modelit zgjedhorë nuk është diskutuar, ndërsa lideri i opozitës Hristijan Mickoski deklaroi se zgjedhjet e 12 prillit nuk do të mund të mbahen me model të ri dhe se ndryshimet duhet pretenduar për ciklet tjera. Idenë për zvogëlimin e njësive zgjedhore dhe ndryshimin e modelit deklarativisht e ka mbështetur edhe presidenti Stevo Pendarovski.