Kryetari i Kuvendit të Kosovës Glauk Konjufca e ka komentuar procesin zgjedhor i cili po zhvillohet në komunat veriore në Kosovë, shkruan Fol Drejt.
Konjufca në një reagim në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se procesi është duke u zhvilluar i qetë dhe pa incidente.
Ky është komenti i plotë i kryeparlamentarit:
Sot, në një atmosferë të qetë dhe demokratike po mbahen zgjedhjet lokale në katër komunat e Republikës së Kosovës, përkatësisht në komunën e Veriut të Mitrovicës, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Zgjedhjet janë mjeti më demokratik dhe mundësia më mirë për qytetarët që përmes votës së lirë të zgjedhin përfaqësuesit e tyre dhe të bëjnë ndryshimet e dëshiruara.
Prandaj i ftoj qytetarët me të drejtë vote të këtyre komunave që të marrin pjesë sa më masivisht në zgjedhjet e sotme lokale.
Mos e humbni rastin. Vota juaj do të ketë ndikim të madh në vendimmarrjen lokale, në ndryshimet e përgjithshme pozitive dhe në jetën e mirëqenien tuaj.