Disa mite na kthejnë shumë vite prapa.
Ky mit – nëse do të mund të vlerësohet i tillë – na kthen më 1990. Edhe tash pas tri dekadash ai vazhdon të jetë pika qendrore e retorikës kundërshtuese të presidentit rus, Vladimir Putin, në lidhje me raportet e Moskës me Perëndimin.
Bëhet fjalë për zgjerimin e NATO-s. Kjo çështje mbetet një plagë e pashëruar në marrëdhëniet e Rusisë me Perëndimin, që shënoi kulmin gjatë Luftës së Ftohtë, por tani sërish ka dalë në sipërfaqe.
Kthimi në qendër të vëmendjes, kësaj radhë nuk u bë nga ndonjë shpërthim i zemërimit nga ana e presidentit rus, Vladimir Putin, por nga një raport i një instituti me qendër në Londër – Chatham House.
Raporti i publikuar më 13 maj, synon të heqë një sërë, siç i quan, “mite dhe keqkuptime”, që kanë formësuar mendimin perëndimor dhe e kanë ndaluar atë të mbajë “një marrëdhënie të qëndrueshme dhe të menaxhueshme me Moskën”.
Në veçani një “mit” ka nxitur debate në zjarrta online, për shembull në Twitter shkruhej: “Rusisë iu premtua që NATO-ja nuk do të zgjerohej”.
“Bashkimit Sovjetik kurrë nuk iu ofrua një garanci zyrtare mbi kufijtë e zgjerimit të NATO-s, pas vitit 1990”, shkroi James Lough, bashkëpunëtor i hulumtimit.
Sipas tij, Moska me qëllim shtrembëron historinë për të ruajtur një konsensus anti-perëndimor brenda vendit.
Por, me këtë, nuk pajtohet një ish-diplomat rus, që ka shërbyer në Ministrinë e Jashtme në Moskë mes viteve 1987 dhe 1992.
“Raporti i Chatham House është shumë i keq. Tingëllon sikur të jetë prodhuar nga Departamenti i Ideologjisë i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik”, tha ai për Radion Evropa e Lirë.
“Nuk na duhej të hapnim këtë çështje, ajo mund të mbetej një skenar i vogël në histori që nuk ka nevojë të zgjidhet”, tha ai.