Zjarret në shtetin federal të Kalifornisë në SHBA, kanë djegur mbi 15 mijë hektarë sipërfaqe pyjore, duke shkaktuar evakuime që nga e premtja.
Zjarret e furishme vazhdojnë të jenë jashtë kontrollit pranë Parkut Kombëtar Yosemite, thanë autoritetet. Zjarri pyjor pranë qytetit Midpines të Kalifornisë shpërtheu të premten pasdite dhe është përhapur në qytetet e afërta, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zjarrfikësit vazhdojnë betejën për të vënë nën kontroll një nga zjarret më të mëdha të Kalifornisë këtë vit.
Zjarret vazhdojnë të jenë plotësisht të pakontrolluara që nga mëngjesi i së hënës, sipas Departamentit të Pyjeve dhe Mbrojtjes nga Zjarri në Kaliforni (CalFire).
Më shumë se 2.500 zjarrfikës, së bashku me 17 helikopterë, 281 makina zjarrfikëse dhe 46 cisterna uji, janë angazhuar për shuarjen e zjarrit, shtoi CalFire.
Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, të shtunën shpalli gjendje të jashtëzakonshme për qarkun Mariposa, duke përmendur efektet e zjarreve pyjore, i cili ishte “i shkaktuar nga moti i nxehtë dhe i thatë”.
Mbi 3.000 njerëz u evakuuan pasi zjarret shkatërruan shtëpitë dhe kërcënuan infrastrukturën tha në një deklaratë Zyra e guvernatorit./FolDrejt/