Zjarret që kanë shpërthyer në pyje dhe që po shpërndahen nga erërat e forta shkaktuan disa shpërthime në një depo municionesh në Greqinë qendrore të enjten, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Mediat lokale thanë se zjarri arriti në objektin, i cili ndodhet rreth 6 kilometra në veri të një baze të madhe ajrore ushtarake në Nea Anchialos. Megjithëse shpërthimet thyen xhamat e shtëpive në zonën përreth, nuk u raportua për të lënduar pasi vendi ishte evakuuar në mënyrë të sigurt paraprakisht.
Zjarret që kanë shpërthyer në disa pjesë të Greqisë në ditët e fundit, çuan në evakuimin e turistëve në ishullin Rodos.
Ndërkohë, duke cituar Ministrinë e Krizave Klimatike dhe Mbrojtjes Civile, agjencia greke e lajmeve AMNA tha se kishte “një rrezik shumë të lartë nga zjarri” në rajonet e Atikës në Greqinë qendrore, Peloponezit, Egjeut jugor, Egjeut verior dhe Kretës.
“Avionët e Forcave Ajrore Helenike po zhvendosen nga aeroporti ushtarak në Nea Anchialos, afër Volos, pasi zjarret rajonale u përhapën pranë bazës”, sipas AMNA.
“Urdhri u dha të enjten në mbrëmje pas shpërthimeve në depon e municioneve që u dëgjuan në Volos dhe zonën më të gjerë, duke thyer disa xhama në rajonin e Nea Anchialos”, shtohet më tej. Në këtë bazë ajrore ndodhet krahu luftarak 111 i Forcave Ajrore Taktike.
Autoritetet greke i kanë këshilluar banorët të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshëm” dhe të shmangin çdo aktivitet në ambient të hapur që mund të shkaktojë aksidentalisht zjarre.