Flaka e shkaktuar nga zjarrvënia e dyshuar u përhap në një ndërtesë biznesi në qytetin Daegu, duke lënë të vdekur të paktën 7 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë
Flaka e shkaktuar nga zjarrvënia e dyshuar u përhap në një ndërtesë biznesi në qytetin Daegu të Koresë së Jugut, duke lënë të vdekur të paktën 7 persona dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, njoftuan zyrtarët lokalë të shërbimit zjarrfikës dhe policisë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Dhjetëra zjarrfikës dhe automjete erdhën në vendngjarje dhe shuan me shpejtësi zjarrin, i cili shpërtheu në orët e vona të mëngjesit në katin e dytë të një ndërtese biznesi 7-katëshe pranë gjykatës së qarkut të qytetit.
Shtatë persona u konfirmuan të vdekur, përfshirë një person të paidentifikuar për të cilin policia dyshon se i vuri zjarrin zyrës së një avokati. Të paktën 41 persona u lënduan, kryesisht nga thithja e tymit ndërsa 26 prej tyre po trajtoheshin në spitalet e afërta tha Park Seok-jin, shefi i departamentit zjarrfikës të qarkut Suseong të Daegu.
Jeong Hyeon-wook, një zyrtar nga Policia Metropolitane e Daegu tha se pamjet e kamerave të sigurisë tregojnë të dyshuarin duke dalë nga shtëpia e tij duke mbajtur një kontejner me të dy duart që mund të jetë përdorur për të vënë zjarrin. Jeong tha se të gjithë të vdekurit u gjetën në të njëjtën dhomë dhe se policia po heton motivet e mundshme. Në vendngjarje ka ardhur një ekip i Shërbimit Kombëtar të Mjekësisë Ligjore.
Ministri i Brendshëm dhe Sigurisë i Koresë së Jugut, Lee Sang-min, udhëzoi zyrtarët që të sigurojnë një hetim të plotë mbi zjarrin dhe të ofrojnë ndihmë të shpejtë për të lënduarit dhe familjet e viktimave, tha ministria.
Daegu njihet si vendi i një prej sulmeve më të këqija në historinë e Koresë së Jugut në vitin 2003, kur 192 persona humbën jetën pasi një burrë 56-vjeçar i vuri zjarrin një treni të metrosë./FolDrejt/