Pas lajmeve të djeshme se Zlatan Ibrahimoviç ishte dëmtuar dhe po rrezikonte rikthimin në fushë për një kohe të gjatë, të martën, Milani lëshoi një njoftim që konfirmon dëmtimin.
Gjiganti suedez u ndal ditën e djeshme gjatë stërvitjes dhe frika më e madhe ishte për një dëmtim në tendinën e Akilit, që do të përkthehej në një pushim disa mujor, por analizat e detajuara konfirmuan vetëm një dëmtim të muskulit të pulpës së djathtë.
Tani Ibra do të pushojë dhe të nisë menjëherë terapitë rehabilituese, ndërsa pas 10 ditësh është parashikuar një tjetër kontroll, që do të përcaktojë saktësisht datën se kur mund të jetë gati për të luajtur.
Megjithatë parashikimet paraprake flasin për një ndalesë për maksimumi një muaj dhe në fund të qershorit suedezi do të jetë gati të ndihmojë skuadrën e Piolit për të mbyllur me sukses pjesën e mbetur të sezonit.