Në një fjalim historik para deputetëve britanikë në Westminster, zonja e parë e Ukrainës i bëri thirrje Mbretërisë së Bashkuar të ndihmojë në vendosjen e drejtësisë për Ukrainën.
Ajo tha se “fitorja nuk është e vetmja gjë që na duhet – ne kemi nevojë për drejtësi”, shkruan Sky News, transmeton Fol Drejt.
Duke i bërë jehonë komenteve të kryeparlamentarit Lindsay Hoyle, ajo krahasoi konfliktin aktual me Luftën e Dytë Botërore dhe tha se sirenat e dëgjuara anembanë Ukrainës janë “identike me ato të dëgjuara nga brezat britanikë që nuk u dorëzuan, dhe ne nuk do të dorëzohemi”.
Do të ishte e paimagjinueshme që nazistët të mos ishin përballur me drejtësinë pas luftës, thotë ajo, kështu që e njëjta gjë duhet bërë edhe për Rusinë.
Zonja Zelenska i kërkoi Mbretërisë së Bashkuar të ndihmojë në ngritjen e një “gjykate speciale” kundër Rusisë për ta mbajtur atë “përgjegjëse për krimin e luftës dhe terrorit”.
Ajo tha se Britania e Madhe mund të bëhet një lider botëror për këtë çështje.
Duke përshkruar ndërprerjet e fundit të energjisë me të cilat u përball Ukraina, ajo u shpreh se kirurgët u lanë duke kryer operacione në errësirë, shërbimet e transportit u ndalën dhe komunikimi u bë i vështirë.
Ajo përshkroi gjithashtu akte të tmerrshme të dhunës seksuale të dyshuara të kryera nga trupat ruse, duke përfshirë përdhunimin e një vajze katërvjeçare.
Në Kherson, zonja Zelenska shtoi se forcat ruse janë ende duke kryer “sulme të planifikuara, mizore” ndaj civilëve, shkollave dhe spitaleve.
Ajo tutje tha se këto urdhra do të kishin ardhur nga udhëheqja e lartë ruse.
Ndërkohë, ajo beri me dije se 200,000 km të Ukrainës mbeten të mbuluara me mina dhe municione të pashpërthyera të lëna pas nga trupat ruse.
Teksa përfundoi fjalimin e saj, deputetët – mes të cilëve edhe ish-kryeministri Boris Johnson – u ngritën dhe e duartrokitën./FolDrejt/