Prokurorët zviceranë kanë përfunduar një hetim dhjetëvjeçar për dyshimet e pastrimit të parave dhe krimit të organizuar të lidhur me qarqet e presidentit të ndjerë egjiptian, Hosni Mubarak, sipas së cilit do të “zhbllokojë” rreth 400 milionë franga zvicerane (430 milionë dollarë) të ngrira në bankat zvicerane.
Prokuroria zvicerane njoftoi sot se informacionet që kishte marrë në bashkëpunim me autoritetet egjiptiane nuk ishin të mjaftueshme për të konfirmuar pretendimet që u shfaqën pas “Pranverës Arabe” të vitit 2011, kur u përmbys sundimi tredekadash i Mubarakut, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Hetimet zvicerane mbi akuzat se bankat në vend ishin përdorur për të ruajtur fondet e blera në mënyrë të paligjshme fillimisht synoi 14 persona, përfshirë dy djemtë e Mubarakut si dhe individë dhe organizata të tjera, të cilëve u ngrinë rreth 600 milionë franga. Më shumë se 210 milionë franga ishin shkrirë më herët dhe Prokuroria njoftoi se 400 milionë franga të tjera do të “liroheshin dhe do t’u ktheheshin pronarëve të tyre të vërtetë”.
Prokurorët zviceranë thanë se nuk kishin marrë përgjigje ndaj një kërkese për informacion nga komisionet e ngritura në Egjipt për të analizuar transfertat financiare që lidhen me njerëzit nën hetim në Egjipt, veçanërisht familjen Mubarak.
“Dyshimi për pastrim parash nuk mund të vërtetohet në bazë të informacionit të disponueshëm”, thuhet në deklaratë.
Hosni Mubarak ndërroi jetë në vitin 2020 në moshën 91-vjeçare./FolDrejt/