Federata e Futbollit e Zvicres ka paralajmëruar se do t’i penalizojë cilindo nga futbollistët shqiptarë, të cilët do të guxojnë ta bëjnë gjestin e shqiponjës me duar, sikundër që ndodhi para disa vitesh në një përballje të kombëtares zvicerane kundër asaj serbe, shkruan Fol Drejt.
Ky vendim duket që e ka ngazëllyer opinionin serb, të cilët mendojnë se provokimet nga ana e futbollistëve shqiptarë që luajnë për Zvicrën, qenë bërë qëllimshëm.
“Për publikun vendas, që prej hedhjes së shortit për Botërorin e Katarit, historitë për takimin e dy kombëtareve nuk kanë të ndalur, kryesisht për shkak të botërorit të fundit dhe ndeshjes së të njëjtave kombëtare, e cila u fitua nga shqiptarët që veshin fanellën e Zvicrës” – shkruan Blic.rs.
Më tutje në artikull tregohet se serbët dhe zviceranët do të përballen më 2 dhjetor në Doha në xhiron e fundit të Grupit G “dhe ajo që sigurisht nuk duhet të jetë e njëjtë janë provokimet e kombëtares zvicerane.”
Sipas Blic.rs Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka e bënë këtë direkt gjatë festës së golit në Kaliningrad katër vite më parë, duke treguar me duar shqiponjën shqiptare, “për të cilën më pas u ndëshkuan dhe u dënuan nga publiku zviceran”.
Sipas mediumit serb, zviceranët po përpiqen të shmangin një situatë të tillë në Katar.
“Botërori nuk përbëhet vetëm nga ndeshja me Serbinë, edhe nëse e dimë se sa e veçantë është kjo ndeshje, duke pasur parasysh atë që ndodhi në vitin 2018. Ne nuk duam të bëjmë të njëjtat gabime, ne jemi këtu për të luajtur futboll dhe asgjë tjetër. Ne nuk duam të dërgojmë asnjë mesazh politik apo fetar. Ne duam të përfaqësojmë vlerat tona. Njëra prej tyre është: respekti. Ne tregojmë respekt për opinionet e tjera. Për mua do të ishte gabim nëse do të provokonim dikë me një gjest, pavarësisht lojës”, citohet të ketë thënë drejtori i kombëtares Pierluigi Tami.
Një festë e tillë tashmë është e ndaluar për Xhakën, Shaqirin dhe të tjerët.
“Nuk duhet të ketë fjalë, gjeste apo sjellje në përgjithësi që shkaktojnë reagime të tjera. Kur brohorasim, tregojmë gëzimin tonë, kjo është e rëndësishme. Por ne nuk duhet të jemi provokues”, citohet të ketë thënë Tami./FolDrejt/