Shkruan: Fitim A. Nuhiu, Fol Drejt
(Ky shkrim nuk rekomandohet për nacionalistët e vonuar shqiptarë që i preket lehtësisht sedra e tyre)
Njëherë e një kohë na ishte një fshatar i varfër, një bujk i rregjur, mirëpo veçantia e tij ishte se ai kultivonte vetëm një lloj perime – patate, mirëpo ato ia merrte një kompani e huaj me një çmim shumë të ulët, sa që fshatari me ato para që i merrte mezi mund të mbante familjen e tij dhe pjesën tjetër e ruante për kultivimin e patates për vitin e ardhshëm që të vazhdojë rutinën e tij të thuash “jetike” për të. Kompania që i merrte patatet, ajo sigurisht i përpunonte, duke i bërë pomfritë, çipsa dhe specialitete të tilla dhe kishte levërdi shumë të majme në tregun botëror, sepse merrte edhe nga të tjerë kultivues patatesh. Fshatari mbeti edhe fshatar dhe i varfër, duke u marrë me lëndën e parë – patatet, sepse më tej nuk mundte të avancoheshte, sepse aq i ofronte fshati dhe mendësia e tij, gjersa industria e patateve ishte diçka ndryshe nga kjo gjë, ajo përfitonte nga duart e fshatarëve të varfër, nuk prekte tokën, nuk ndotte duart e veta, mirëpo vetëm përfitonte nga duart e huaja.
Një ditë fshatari shkoi të blinte disa gjëra elementare ushqimore për familjen e vet, kur pa disa produkte me ambalazhë të kompanisë që njihte logon e saj, kur ia tha shitësit të shitores dhe të pranishmëve blerës që kishin qëlluar aty, se kjo fabrikë merr patatet nga unë, dhe shih se çfarë po arrinte t’i bënte patatet e mia, dhe sikur krekosej, mirëpo askush nga ata nuk ia vari, madje e zunë për të marrë. Sidoqoftë, fshatari duke u kthyer rrugës për në shtëpi sikur krekosej e krenohej me punën të thuash “të huaj”, por që edhe me një farë forme ishte edhe mundi i tij, por ec e thuaja dikujt, edhe pse ishte e vërtetë, askujt nuk i bënte përshtypje patatja, por përpunimet e saj – pomfritët e çipsat, etj…
Fshatari i gjorë ishte dhe mbeti i kënaqur dhe krenar deri në fund të jetës së vet, me njëfarë krenarie të zbrazët e pa mirënjohje, sepse vetëm ai ia njihte atë vetes, një krenari që realisht s’i takonte atij dhe ky mburreshte me të, dhe asnjëri nuk e njohu për punën dhe angazhimin e tij të vërtetë, sepse donte të mburrej me atë që nuk e kishte, e i vinte turp për atë që kishte dhe që ishte.
* * *
Në ndeshjen e fundit Zvicër – Serbi, ato skenat jo-sportive që i pamë të gjithë, skena të propagandave të nacionalistëve serbë, agresivitetin e pacipë të tyre karshi shqiptarëve të Zvicrës, si edhe gjestet “patriotike” të këtyre të fundit, më pas në rrjetet sociale, në emisionet televizive dhe gjetiu ngjau ajo déjà vu-ja e shqiptarëve gjithandej, duke parë dhe dëgjuar “festimet” e shqiptarëve, brohoritjet dhe histeritë e tyre të rikujtonin atë se sa shoqëri primitive që kemi qenë dhe që kemi mbetur akoma dhe sot.
Fillimisht, dalldisjet (festimet) e shqiptarëve me flamuj e me makina rrugëve gjithandej trojeve tona, më kujtuan debatin kur Fatos Lubonja kryqëzohet nga kolegët e tij në një debat televiziv, në lidhje me temën për Nënë Terezën se sa shqiptare është apo jo, kur ai tenton të thotë të vërtetën dhe të çjerr maskat e hipokrizisë dhe krekosjet dhe krenaritë false të shqiptarëve, kur thotë atë thënien logjike e filozofike se “Njeriu është produkt i kulturës e jo i racës” që nënkuptonte se Nënë Terezën e bënë të tjerët dhe ata duhet të krenohen e jo ne kaq shumë me të dhe mjaftoi kjo gjë që atëbotë, bashkëbiseduesit e tij ta merrnin për të keq, sepse preku “shenjtërinë”, “mitin”, gjë që janë larg, shumë larg së vërtetës.
Një perspektivë e ngjashme është edhe tek myslimanët gjithandej nëpër botë. Më kujtohet kur u zgjodh kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan (2016), një mysliman emigrant, të gjithë myslimanët krekoseshin dhe krenoheshin për atë që në krye të një kryeqyteti të madh të botës – Londrës, tanimë e udhëheq një mysliman, por ata një gjë kishin “harruar”, se kjo krenari nuk i takonte aspak atyre, këtë e bënin nga inferioriteti karshi botës së civilizuar, sepse edhe ai (S.K.) nuk ishte produkt i tyre, por i anglezëve, dhe se ata që do të duhej të krenoheshin, më meritorët do të ishin anglezët dhe votuesit londinezë, për atë që ia kanë dhënë besimin, votën, hapësirën dhe përgjegjësinë po këtij myslimani dhe e kanë vendosur në krye të vendit, e aspak myslimanët.
Krenaria e shqiptarëve do të ishte në vendin e duhur poqëse ata lojtarë shqiptarë të Zvicrës do të ishin stërvitur dhe ngritur në këto rangje në shtetet tona shqiptare dhe të kishin përfaqësuar kombëtaret tona: kosovare apo atë shqiptare, mirëpo kjo krekosje e tyre aktuale është mjeruese, sepse edhe këta lojtarë shqiptarë tp Zvicrës fillimisht nuk po janë mirënjohës ndaj atyre (zvicerianëve, etj) që i ngritën në atë shkallë që tanimë gjenden, që i krijuan këtë famë botërore, sepse nuk ka qenë fitore e jona sportive kombëtare, edhepse humbi “armiku” jonë shekullor, sepse në fund të fundit, kjo fitore shkoi në mulli të huaj, pavarësisht që lojtarët shqiptarë të Zvicrës janë të cilësuar profesionistë dhe meritorë, mirëpo ata përfaqësonin dikë tjetër, një shtet tjetër, dhe këtë gjë duhet kuptuar shqiptarët, që të mendojnë dhe gjykojnë jashtë emocioneve, dhe të jemi një komb që kemi një shtet ose dy, s’ka rëndësi, por të kemi atë shtet ashtu siç duhet, të kemi përfaqësitë tona sportive dinjitoze në nivele kombëtare, e jo t’i mbushim kuotat dhe zbrazëtirat e huaja dhe atyre t’i ndreqim imazhin ndërkombëtar sportiv.
Sigurisht edhe kjo pjesa ku loja e futbollit apo ringu i boksit, etj. shihen si arenë lufte politike dhe nacionaliste, më bën të rimendojë se sa primitivë kanë mbetur shoqëritë tona, dhe që nuk shihet neutraliteti sportiv “le të fitoj më i miri” apo të zbaviten njerëzit (pa ngarkesa nacionaliste) duke parë shpirtin garues të njërit apo tjetrit, ama jo deri në atë shkallë sa që të bëjnë propaganda nacionaliste e fetare (shqiponjat me duar, kryqin, lutjet fetare, etj), sepse kjo më nuk është sport, por arenë propagandistike.
Frustrimet dhe zhgënjimet tona kombëtare po i shërojmë nga individë (që kanë rastisur të lindin në trojet tona – raca jonë) të suksesshëm, që shtetet tona nuk i kanë dhënë asnjë gram nga buxheti i tyre, as nga mundi i tyre, dhe kur po këta individë po e braktisin vendin origjinë dhe po ia mbathin drejt ndonjë vendi të civilizuar e po dalin të suksesshëm në arenën ndërkombëtare, ne si popull i vogël që jemi, menjëherë po nxjerrim kryet, duke u mburrur: ja ky sportist, ja ajo sportiste apo këngëtare është e jona dhe po ndjehemi krenarë, por ata realisht po janë tashmë produkte të një kulture komplet të huaj, e tjetër, e jo produkt i yni, sepse tek ne vetëm po lindin dhe po ia mbathin që të kenë sukses në vendet e zhvilluara dhe të emancipuara, ku vlerësohen prirjet si artistike, si sportive si kulturore, prandaj edhe ne që nuk i vlerësojmë dhe nuk kontribuojmë në fusha të tilla, nuk na ka hije të krenohemi me punët që dikush tjetër po i gdhend e po i nxjerr në dritë.
Neve, shqiptarëve, na takon që të krenohemi vetëm nëse shtetet tona shqiptare do të hartonin strategji si kulturore si sportive, etj. që të kemi përfaqësitë tona dinjitoze përbashkuese kombëtare, dhe të punojmë fort në këtë drejtim e të kultivojmë logjikën e punës së koordinuar ekipore e jo vetëm individuale, e më pas edhe pse mburremi me atë që jemi dhe me atë që punojmë me duart tona, na ka hije, fundi fundit, secili korr atë që ka mbjellur, sepse s’është e drejtë të korrësh të mbjellurat e huaja, sepse ato realisht quhen të vjedhura./FolDrejt/