Larja e 54 veturave, brenda dhe jashtë, Zyrës së Kryeministrit Ramush Haradinaj do t’i kushtojnë 3,600 euro. Por me disa shërbime shtesë, kjo zyre do të paguaj në total 4,371 euro për një vit.
Në njoftimin e tenderit janë specifikuar detajet që duhet plotësuar nga operatorët ekonomik për kryerjen e këtij shërbimi.
Dosja e tenderit thekson se në mesin e 54 veturave të cilat kanë për t’u pastruar, 12 vetura janë të tipit Peugeot, 11 vetura Shkoda, 9 vetura Reno Megano, 5 vetura Toyota e po ashtu edhe 5 vetura BMW, nga 3 vetura të tipit Mercedes, Nisan dhe Hundai, 2 vetura Toureg dhe 1 veturë Seat Altea.
Sipas njoftimit për nënshkrimin e kontratës të tenderit “Shërbime të larjes së automjeteve”, thuhet se larja për 2,000 njësive e komplet veturave (brenda dhe jashtë) do të kushtoj 3,600 euro, pra për një larje të tillë Zyra e Kryeministrit do të paguaj 1.8 euro me TVSH. Ndërsa, larja jashtë e veturave me shampon për 800 njësi do të kushtoj 80 euro apo 10 centë për njësi, për shpenzimin e 600 litrave ujë dhe shampon, Zyra e Kryeministrit duhet të paguaj 390 euro, ndërsa për ekstra larje do të paguhen 150 euro.
Kontrata thotë se duhet të ndërrohet 10 tepiha apo shtroja për automjete me një çmim prej 15 euro për njësi, pra në total do të kushtojnë 150 euro.
Pra, përveç larjes komplet të veturave, brenda dhe jashtë, larja jashtë e veturave me shampon, ekstra larja, larja e motorit të automjetit me preparate kimike dhe ujë, shamponi dhe uji i xhamave për automjete dhe tepiha/shtroja për automjete, janë shërbimet e tjera që janë kërkuar që të kryhen nga operatori fitues.
Kohëzgjatja e tenderit do të jetë 12 mujore dhe ka hyrë në fuqi me 12 nëntor 2018.
Njoftimi mbi vendimin e autoritetit kontraktues tregon se në këtë tender kanë aplikuar katër operatorë ekonomik.