Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së ka sqaruar për opinionin se nuk ka pranuar kërkesë për sa u përket protezave për invalidë, veteranë, transmeton Fol Drejt.
Sipas kësaj zyreje, një kërkesë e tillë, as nuk është pranuar e as nuk është trajtuar nga ana e tyre.
“Të nderuar qytetarë dhe pjesëtarë të kategorive të dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,
Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së, ju informon se nuk ka pranuar kërkesë për sa i përket protezave për invalidë veteranë e të cilën nuk e ka trajtuar. Kërkesa e fundit në lidhje me protezat për invalidë veteranë ka ndodhur vitin e kaluar gjatë qeverisjes së kaluar, ku është ndarë buxhet dhe shoqata e invalidëve veteranë është në zbatim e sipër të asaj kërkese” – thuhet në sqarimin zyrtar.
Për më shumë “Zyra për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e UÇK-së është e hapur për shqyrtim dhe trajtim të çfarëdo kërkese, dhe çështjet e këtilla si ofrimi i protezave për invalidë veteranë do të konsiderohen ashtu siç edhe janë, esenciale. Synim e zotim i joni është institucionalizimi i këtyre shërbimeve, në mënyrë që të ketë organizim e strukturim të ofrimit të tyre dhe kujdesi për invalidët veteranë të jetë maksimal.”/FolDrejt/