Pas dëmtimit të Manuel Neuer, Bayern Munich bleu një portier të ri, i cili të paktën deri në fund të këtij sezoni do të kryejë rolin e portierit të parë të skuadrës.
Bayern Munich ka prezantuar sot një portier që ka gjashtë muajt më emocionues të karrierës së tij përpara. Zvicerani Yann Sommer, portieri aktual i Borussia nga Monchengladbach, ka nënshkruar kontratë me bavarezët deri në vitin 2025 dhe kështu do të jetë portieri i parë i skuadrës deri në rikthimin e Manuel Neuer. Neuer u dëmtua duke skijuar në fillim të dhjetorit dhe për shkak të thyerjes së këmbës, definitivisht nuk do të luajë më futboll këtë sezon.
Yann Sommer është një portier me përvojë dhe i dëshmuar, i cili ishte një nga portierët më të mirë në Bundesligën gjermane. Ai luan në Gjermani që nga viti 2014 dhe njëkohësisht është portieri i parë i kombëtares së Zvicrës, për të cilën ka bërë 80 paraqitje .
“Yann Sommer është një përforcim i rëndësishëm për ne, pasi ai është një lojtar me shumë përvojë që luan në Bundesligë për një kohë të gjatë. Ai ka gjithçka për të ndihmuar menjëherë këtë ekip. Ne kemi besim se me të mund t’i arrijmë objektivat tona.”, tha CEO i Bayernit, Oliver Kahn.
Prova e parë e madhe e Sommerit është në më pak se një muaj, kur bavarezët do të përballen me Paris Saint Germain në ndeshjen e parë të 1/16-tës së Ligës së Kampionëve, transmeton Fol Drejt.