Sheikh Jassim bin Hamad Al Thani, kryetari i QIB Bank të Katarit, ka konfirmuar zyrtarisht ofertën për të blerë gjigantin anglez të futbollit Manchester United.
Gjiganti anglez i futbollit Manchester United po i afrohet ndryshimit të pronësisë dhe po bëhet gjithnjë e më e qartë se kush është favoriti i parë për të marrë nën kontroll një nga klubet më të mëdha dhe më të njohura të futbollit në botë. Të premten në mbrëmje, thashethemet dhe spekulimet njëjavore u konfirmuan nga Sheikh Jassim bin Hamad Al Thani, presidenti i bankës së Katarit QIB , i cili në një deklaratë zyrtare për shtyp bëri të ditur synimin e tij për të marrë përsipër klubin e famshëm anglez.
“Oferta e blerjes për klubin nuk do të transferojë asnjë borxh dhe do të kryhet përmes fondit Nine Two me dëshirën për të investuar në ekipet e futbollit, qendrën stërvitore, stadiumin dhe infrastrukturën përkatëse, në përmirësimin e përvojës së tifozëve dhe në komunitetet e mbështetura nga klubi. Vizioni i marrjes sonë është që Manchester United do të njihet për shkallët e larta të zhvillimit të tij dhe se do të njihet si klubi më i madh i futbollit në botë”, shkruante konsorciumi i Katarit i përfaqësuar nga sheiku i lartpërmendur.
Sheikh Jassim Al Thani është anëtar i familjes mbretërore të Katarit, djali i ish-kryeministrit të Katarit dhe kryetar i një prej bankave më të mëdha të Katarit.
Ai nuk e specifikoi shumën për të cilën do të dëshironte të blinte Manchester United, por pritet që deri në fund të afatit për dorëzimin e ofertave kjo të bëhet e qartë.
Familja Glazer bleu Manchester United në 2005 dhe njoftoi vitin e kaluar se ata ishin gati ta shesin atë ose se ishin gati të dëgjonin ‘alternativat strategjike’. Mediat angleze spekulojnë se çmimi i United mund të kalojnë pesë ose gjashtë miliardë euro, transmeton Fol Drejt.